Thaçi në OKB: Gabimi i Kosovës që ka pritur pesë vite për ta formuar ushtrinë

Aktuale December 17, 2018 - 21:53
Lexo Detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi teksa i është kundërpërgjigjur hmologut të tij serb Aleksandër Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë që ushtria e Kosovës nuk është vendim i gabuar. Ai ka thënë që gabim i Kosovës është vetëm pritja pesë vjet për ta formuar ushtrinë, raporton “zëri.info”.

“Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë.Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot, nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj. Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu? Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Kosovës, apo të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

LEXO EDHE: Thaçi ia përmend dhunimet e grave në luftë Vuçiqit

Pikë së pari, Thaçi ka thënë se Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999, si dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i atëhershëm Kofi Annan.

Tutje ai ka thënë që rishikimi i sektorit të sigurisë në Kosovë do të bëhet në bashkëpounim të ngushtë me NATO-në

“Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri. Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj. Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj”, ka thënë Thaçi.

Për formimin e ushtrisë Thaci ka thënë në OKB që të zemruar nuk kanë qenë serbët e Kosovës përvec atyre të Serbisë.

“Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar. Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë Thaçi. /ZËRI