Rrustemi: PAN-it i takojnë vetëm 2 përfaqësues në KQZ, PSD të kërkojë përfaqësim nga ta

Aktuale December 17, 2018 - 21:08
Lexo Detajet

Presidenti Thaçi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve], paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke shtruar pyetjet në vijim: “nga cilat grupet parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së: a) nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës?; apo b) nga grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës?”.

Në përgjigje të saj, Kushtetuesja e ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Kosovës.

“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, ishte thënë në njoftimin e Gjykatës.

E sot u raportua se presidenti Thaçi kishte nisur procedurat t’i emëronte anëtarët e rinj të KQZ-së.

Lidhur më këtë ka reaguar Adnan Rrustemi, përfaqësues i VV-së në KQZ.

Rrustemi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Thaçi nuk mund ta përdorë zyrën e presidentit për t’ia zgjeruar përfaqësimin PAN-it ngase sipas tij pasi që PAN-i garoi si koalicion në zgjedhjet e fundit, atyre u takojnë vetëm dy përfaqësues në KQZ.

Si “këshillë” për PSD-në, ai u ka kërkuar atyre të përfaqësohen nga anëtarët e PAN-it apo të blejnë ndonjërin prej tyre.

Postimi i plotë:

Përfaqësimi në KQZ është rrjedhojë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare dhe kjo nuk varet as nga vullneti e as nga bindjet partiake e pazaret e Presidentit.

Hashim Thaçi nuk mund ta përdorë zyrën e Presidentit për t’ia zgjeruar përfaqësimin PAN-it me katër anëtarë, ngase juridikisht në zgjedhjet e 11 qershorit, PDK, AAK, NISMA dhe PSD ishin një subjekt i vetëm politik, të cilit i takojnë vetëm dy anëtarë, sikurse që Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe LDK-së ju takojnë nga dy anëtarë.

PSD si pjesë e PAN-it që ishte e që u rikthy po aty, le të kërkon nga ata përfaqësim apo le të blejë njërin nga anëtarët e tyre, tash që kanë hyrë në pazare.