BE-ja përsërit kërkesat ndaj Kosovës që shkojnë në favor të Serbisë

Aktuale December 17, 2018 - 17:59
Lexo Detajet

Sot është mbajtur takimi i tretë i Këshillit të Stabilizim – Asociimit mes BE-së dhe Kosovës.

Bashkimi Evropian edhe sot ka këmbëngulur në heqjen e tarifave të vendosura nga Prishtina ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës duke iu bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës për të vazhduar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“BE nënvizon rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së si dhe detyrimet e tjera kontraktuale duke përfshirë tregtinë dhe doganat. BE-ja shprehë keqardhje me vendimin e njëanshëm të autoriteteve të Prishtinës për rritjes e tarifave mbi importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe insiston urgjentisht në heqjen e tyre”,  thuhet në një deklaratë të Këshillit të BE-së, transmeton lajmi.net.

Këshilli i BE-së thekson se futja e tarifave është e dëmshme për interesat ekonomike të Kosovës si dhe zvogëlon rrjedhën e tregtisë.

Tutje, BE ka kërkuar që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të përmbushen.

“Të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen pa vonesa të mëtejshme, veçanërisht marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave serbe”.

Për çështjen e liberalizimit të vizave, thuhet se Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian duhet të marrin në konsideratë raportin e Komisionit Evropian për përmbushjen e kushteve të mbetura.

Vlen të theksohet se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka refuzuar të heq taksën prej 100 për qind dhe për shkak të dallimeve në mes dy palëve nuk është mbajtur as konferenca për media.