Bahtiri paralajmëron peticion të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës

Aktuale December 17, 2018 - 14:49
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka paralajmëruar peticion me qytetarët për bashkimin e Mitrovicës.

Nën udhëheqjen e Bahtirit, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar disa pika të rendit të ditës me rëndësi për qytetarët.

Fillimisht, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar bordin lidhur me inaksimin e të hyrave vetanake duke thënë se përgjatë këtyre 11 muajve inaksimi i këtyre të hyrave është afro 90,52 %, dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi shënuar rritje prej 10,50 % , me qëllim që deri në fund të këtij viti inaksimi i të hyrave të bëhet ashtu siç është planifikuar nga drejtoritë komunale.

Po ashtu drejtori Gashi në mbledhjen e sotme të bordit diskutoi edhe për pranimin e lëndëve në intranet i cili kërkoi nga drejtorët e drejtorive përkatëse që të kenë vëmendje të shtuar në mënyrë që në fund të këtij viti komuna jonë të ketë performancë më të mirë. Gjithashtu ai kërkoi edhe kompletimin e lëndëve të drejtorive komunale për certifikim.