Kurti kërkon zgjedhje të parakohshme, thotë se janë të domosdoshme

Aktuale December 17, 2018 - 14:20
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur sot për ekipin e ri negociator me Serbinë, që sipas tij nuk do ta ndal presidentin Hashim Thaçi që të vazhdoj ‘aventurën’ e tij me presidentin serb Aleksandër Vuqiq raporton “Zeri.info”.

Kurti tha se ky ekip është krijuar me qëllim që të ‘zbutet’ vetmia e Thaçit në dialog.

“Praktikisht bashkëdrejtuesit që u votuan me 59 vota do ta zëvendësojnë ministren z.Edita Tahiri, ndërkaq presidenti do të vazhdoj me akrobacionet e tij. Nuk është e rastësishme që ai një natë parapara e mbështet rezolutën që erdhi të nesërmen, dhe një orë pas votimit të saj e përshëndeti atë. Ky ishte dimri i vetmisë së madhe të Presidentit të Kosovës në aventurën e tij me Vuqiqin, mirëpo nëpërmjet këtij ekipi negociator të Qeverisë po përpiqen që t’ia zbusin vetminë Thaçit”, tha Kurti.

Sipas tij formimi i këtij grupi është i pakuptimit pasi që qeveria veçse ka dalë me dokumentin për marrëveshjen finale, raporton tutje “Zëri.info”.

LEXO EDHE: Kurti kundërshton raportin e Qeverisë për dialogun, e quan antikushtetues

“Ajo që është edhe më interesante është që para se të vij kjo rezolutë për votim të shtunën në një seancë të panevojshme, dy ditë më herët kryeministri ua ka prezantuar këtë material ambasadave të Quint-it që paraqet marrëveshjen finale. Cili është kuptimi që ti krijon grup negociator që do përpiloj platformë kur e ke bërë marrëveshjen finale. Ky është rendi e mbrapsht i ecjes së gjërave”, theksoi ai mes tjerash.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka vlerësuar se ne situatën aktuale, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

“Janë të domosdoshme zgjedhjet parlamentare nuk ka pasur asnjë qeveri më shumë skandale se kjo qeveri qe e kemi tash, duhet të rikthehet legjitimiteti i institucioneve përmes zgjedhjeve të parakohshme”, theksoi ai. /ZERI