Opozita, e pavendosur për draftin e dialogut

Aktuale December 17, 2018 - 13:13
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Qeveria e Kosovës ditë më parë ua ka paraqitur ambasadorëve të vendeve të QUINT-it si dhe shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative për dialogun me Serbinë. Megjithatë, ndonëse ky propozim i Qeverisë për atë se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja me Serbinë u është dërguar edhe subjekteve politike në vend, ato ende nuk kanë një qëndrim në lidhje me të. Edhe nëse do të ketë unitet të subjekteve politike në vend analistë politikë vlerësojnë se Serbia nuk do të pajtohet me këtë draft, shkruan "Zëri.info".

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagaci, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë një qëndrim në lidhje me draft-projektin për marrëveshjen me Serbinë.

“Tani nuk kam qëndrim. Jemi njoftuar në mbledhje të Kryesisë se është dhënë drafti. Ne do ta analizojmë atë shumë shpejt dhe do të dalim me një qëndrim zyrtar”, ka thënë ajo.

Një qëndrim në lidhje me draftin e propozuar nga Qeveria nuk kanë dhënë as deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, ka thënë për gazetën se nëse ka ndonjë dokument që e cenon kushtetutshmërinë e vendit, atëherë LDK-ja nuk do të diskutojë.

LEXO EDHE: 'Mes presidentit e ekipit negociator mund të ketë përplasje'

“Ne kemi thënë gjithherë se askush nuk guxon të jetë mbi Kushtetutën. Ajo çfarë është e qartë, ku LDK-ja nuk shkel asnjëherë, e thotë qartë edhe Kushtetua e Kosovës, se kush mund të dialogojë dhe për çfarë mund të dialogojë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se tashmë delegacioni që është përzgjedhur nga deputetët e Kuvendit do të merret me temat të cilat lidhen me dialogun.

“Me rezolutë është vendosur që delegacioni shtetëror është i vetmi i cili mund të merret me temat që lidhen me dialog. Delegacioni është votuar dhe besoj që i merr të gjitha dokumentet nga institucionet e shtetit”, ka thënë ai. /ZERI