Me dy qëndrime në dialog

Aktuale December 17, 2018 - 07:45
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Pas miratimit të rezolutës për dialogun me Serbinë, përmes së cilës caktohet edhe ekipi i ri negociator, Kosova do të paraqitet me dy qëndrime në Bruksel. Derisa presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka filluar fazën finale të dialogut, po kërkon korrigjim të kufijve, ekipi negociator është kundër kësaj ideje  shkruan sot gazeta "Zëri".

Pavarësisht se deputetët e partive në pushtet dhe ata të Partisë Socialdemokrate të shtunën votuan rezolutën dhe ekipin negociator për dialogun me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet ta zbehë rolin e presidentit Hashim Thaçi në këtë proces. 

LEXO EDHE: Opozita, pa qëndrim për propozim-marrëveshjen e Qeverisë

Kështu vlerësojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se kreu i shtetit do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë sipas mandatit kushtetues. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e partive që janë pjesë e delegacionit konsiderojnë se roli i ekipit do të jetë tejet i rëndësishëm në bisedimet me Serbinë. Madje ata janë shprehur të vendosur se rezoluta e miratuar do ta ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës pavarësisht pretendimeve të kreut të shtetit për korrigjim të kufijve. Por njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se pikërisht ideja e korrigjimit do të bëhet shkas i përplasjes dhe përçarjeve në mes ekipit negociator dhe presidentit

Ndërkohë, ani pse PSD-ja tashmë është bërë pjesë e delegacionit, dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje e kanë kritikuar ashpër këtë veprim, duke cilësuar si të atillë që assesi nuk çon deri te zgjidhja.

LDK-ja e LVV-ja kundërshtojnë rezolutën dhe ekipin negociator

Gjersa ka folur rreth rezolutës dhe ekipit të miratuar për dialogun, nënkryetari i PSD-së Visar Ymeri ka thënë se sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacenueshëm dhe të patjetërsueshëm. Sipas tij, në kuadër të negociatave nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa pasur njohje.

Ymeri, i cili do të jetë pjesë e ekipit negociator, gjatë ditës së djeshme nuk ka lënë pa kritikuar përfaqësuesit e dy partive tjera opozitare, të LDK-së e të LVV-së.

“Po ta lexonin rezolutën dhe Ligjin edhe Albin Kurti, edhe Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty. Në të vërtetë jemi ngritur në këmbë si Republikë, si Kosovë e si Kuvend. Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat”, ka theksuar ai.

Kurse kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se votimi i rezolutës në fjalë nuk përbën zgjidhje për dialogun. Kjo sipas tij është vetëm një zgjidhje afatshkurtër që i ndihmon koalicionit qeverisës të mbetet edhe më tej në pushtet.

“Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar. Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë. Një marrëveshje e qëndrueshme. Çdo veprim tjetër është blerje kohe dhe mashtrim”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, marrëveshja eventuale që mund të arrihet në fund nga ekipe të tilla “pa legjitimitet” do të kundërshtohet fuqishëm nga LDK-ja.

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar tejet të gabueshëm veprimin e PSD-së rreth rezolutës dhe ekipit negociator.

“Është shumë gabim dhe e pandershme ajo që e ka bërë PSD-ja. Ata nuk janë as opozitë, sepse PSD-ja nuk është subjekt që i ka fituar zgjedhjet, nuk janë me mandatet e PSD-së aty. E shfrytëzuan largimin prej LVV-së për ta shtyrë përpara këtë proces të dialogut pa u bërë asnjë analizë e mëhershme dhe duke u thirrur në emër të opozitës”, ka deklaruar ajo.

Pavarësisht se ky ekip ndër të tjera synon që ta ndalë idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, Nagavci ka thënë se me anë të këtij delegacioni presidentit veçse do t’i mundësohet udhëheqja e procesit të negociatave. “Në mënyrë masovike qytetarët ia kanë dhënë përgjigjen presidentit në shtator. Kjo që bëri tash PSD-ja veçse po ia mundëson atij vazhdimin e dialogut”, ka theksuar deputetja e LVV-së. 

SHBA-ja mirëpret rezolutën për dialogun

Rezolutën për negociatat me Serbinë e ka mirëpritur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. Me këtë rast Kosnett ka përgëzuar Kuvendin për votimin e delegacionit shtetëror për dialogun, pasi sipas tij një veprim i tillë është kyç për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Mirëpresim votimin e së shtunës për miratimin e rezolutës për dialogun. Jemi të inkurajuar të shohim pjesëmarrjen politike për dialog nën udhëheqjen e BE-së dhe me përkrahjen tonë për zgjidhje kreative”, ka deklaruar Kosnett.

Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar tashmë se e mirëpret formimin e ekipit negociator. Por pavarësisht idesë së presidentit lidhur me korrigjimin e kufijve, deputetja e AAK-së Time Kadriaj ka thënë se rezoluta e cila është miratuar synon që ta ruajë integritetin dhe kufijtë e shtetit të Kosovës.

“Dje është votuar një rezolutë, në të ceket qartë që kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Domethënë do të ruhet sovraniteti, integriteti i territorit të Kosovës në bazë të Kushtetutës së Kosovës, por edhe legjitimitetin që na ka dhënë edhe Gjykata Ndërkombëtare në momentin e shpalljes së pavarësisë”, ka theksuar ajo.

Sipas Kadriajt, ekipi negociator nuk do të shkojë në Bruksel vetëm sa për të bërë ndonjë fotografi, porse do të punojë dukshëm në procesin e dialogut.

Mes presidentit e ekipit mund të ketë përplasje

Duke folur rreth ekipit negociator për dialogun, politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se është formuar një unitet i kundërthënieve.

“Është krijuar unitet i kundërthënieve. Secili mendon se do të përfitojë nga kjo pjesëmarrje. Hashim Thaçi me korrigjimin e kufijve, Ramush Haradinaj me moskorrigjimin e tyre, ndërsa PSD-ja si parti që e ka kredinë e LVV-së dëshiron të dalë në sipërfaqe si faktor shpëtimtar. Përshtypja ime është se askush s’ka hyrë në këtë ekip sinqerisht, por duke kalkuluar në interes politik”, ka theksuar Beqaj.

Ndërkaq Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka thënë se pavarësisht miratimit të ekipit negociator dialogu do të vazhdojë të udhëhiqet nga presidenti Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme sipas mandatit kushtetues.

“Ndërsa ky ekip besoj do të shërbejë më shumë si ekip mbikëqyrës ndaj presidentit Thaçi për t’u siguruar se ai në dialog nuk do t’i kalojë vijat e kuqe, të cilat janë paraqitur në rezolutën e miratuar dje”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, ekipi negociator do ta përfaqësojë Kosovën vetëm në nivelin teknik, përderisa presidenti, siç ajo është shprehur, do ta përfaqësojë Kosovën në nivelin politik.

“Ky ekip besoj do të merret edhe me pjesën e dialogut teknik, ndërsa pres që në nivelin politik do të ketë takime ku do të marrë pjesë vetëm presidenti Thaçi, i cili më vonë do ta informojë këtë ekip lidhur me atë se çfarë është diskutuar sipas vlerësimit të tij dhe se do të mbetet në diskrecionin e tij se çfarë informacionesh do t’i ndajë me këtë ekip”, ka shtuar ajo.

Rrjedhimisht, Haxholli ka vlerësuar se ekipi negociator nuk do t’ia dalë që ta zbehë rolin e presidentit në procesin e negociatave.

Ndërkaq profesor Beqaj ka vlerësuar se zbehja e rolit të Thaçit mund të vijë vetëm në rast se përfaqësuesit e ekipit me të vërtetë janë kundër idesë së “korrigjimit të kufirit”.

“Por mendoj që fundi i bashkëpunimit do t’i përngjajë më shumë pragmatizmit sesa kundërshtimit të kësaj ideje. Kjo do të thotë se ata janë në funksion të asaj ideje e jo në funksion të zgjidhjes në saje të interesave reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Beqaj.

Ndërkohë duke u nisur nga synimet e ndryshme që ekipi dhe presidenti kanë rreth kufijve Violeta Haxholli ka vlerësuar se mes tyre nuk do të mungojnë përplasjet gjatë procesit.

“Pres që mes një pjese të këtij ekipi dhe presidentit do të ketë mospajtime dhe përçarje kryesisht për shkak të veprimeve unilaterale të presidentit për të çuar përpara ide me të cilat ky ekip aktualisht është shprehur se nuk pajtohet”, ka nënvizuar Haxholli. /ZERI