Vuçiq do të tentojë t’i ndryshojë qëndrimet e fuqive të mëdha për Ushtrinë e Kosovës

Aktuale December 16, 2018 - 18:53
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Gjatë ditës së nesërme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pritet të flitet për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të paraqes qëndrimin e Serbisë për themelimin e ushtrisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Siç shkruajnë mediat serbe, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se pret që propozimi i presidentit serb, Vuçiq për diskutimin dhe qëndrimin e Serbisë për ushtrinë e Kosovës të marrë mbështetje.

Mirëpo, Daçiq ka shprehur edhe dyshimet e tij se mund të ndryshojë ndonjë gjë në favor të Kosovës, për siç tha ai, qëndrimin e fuqive të mëdha në lidhje me themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Do të jetë e vështirë për të ndryshuar pikëpamjet e fuqive të mëdha për këtë çështje, por është shumë e rëndësishme të tregohet shkelja e Rezolutës 1244 si i vetmi dokument ligjërisht i vlefshëm që i referohet Kosovës dhe që nuk parashikon formimin e çdo forcë të armatosur”, tha sot Daçiq në një konferencë për media.

LEXO EDHE: Daçiq: Ushtria e Kosovës nuk mund të zhbëhet

Tutje Daçiq, theksoi se është shumë e rëndësishme që presidenti i Serbisë të marrë pjesë në seancë.

“Presidenti do të përshkruajë pikëpamjet e Serbisë dhe pres që ai të marrë mbështetje të madhe nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, mirëpo Këshilli nuk do të jetë në gjendje të marrë ndonjë vendim për shkak të pikëpamjeve të fuqive të mëdha”, u shpreh ai.

Daçiq e konsideron të rëndësishme që asnjë nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit nuk ishte kundër thirrjes së seancës, por vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Polonia dhe Holanda kanë kërkuar që kjo seancë të jetë e mbyllur, ndërsa kërkesa e Serbisë për hapjen e seancës është mbështetur nga Rusia, Kina, Guinea Ekuatoriale, Etiopia, Bolivia dhe Kazakistani.

“Është shumë e rëndësishme që kërkesa e vendeve perëndimore që seanca e Këshillit të Sigurimit të jetë e mbyllur nuk është pranuar”, tha më tutje Daçiq.

Në këtë konferencë Daçiq po ashtu foli edhe në lidhje me ekipin e ri negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të zhvillohet pa heqjen e taksës nga ana e autoriteteve kosovare.