Borë, erë e fuqishme dhe më ftohtë në ditët në vijim

Aktuale December 16, 2018 - 18:06
Bëhet fjalë për këtë vend

Mot kryesisht i vranët me reshje të kohëpaskohshme, të cilat për shkak të lëshimit të ajrit të ftohtë nga veriu pothuajse gjithandej do të kalojnë në borë, përveç në juglindje, paralajmëron Drejtoria për punë hidrometeorologjike (DPHM) e Maqedonisë.

Reshje më shumë do të ketë edhe në orët e paradites në pjesët qendrore dhe lindore të vendit, ndërsa pasdite gradualisht do të zhvendosen drejt lindjes dhe do të ndalojnë. Do të fryjë erë mesatare përgjatë Luginës së Vardarit të përforcuar nga drejtimi veriperëndimor, që gjatë ditës do të shkaktojë ulje të temperaturës për disa gradë.

Temperatura e ditës do të jetë në interval prej -2 deri në 4 gradë. Në Shkup moti do të jetë kryesisht i vranët me erë mesatare, kohë pas kohe e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura do të jetë rreth 1 gradë Celsius.

Lartësia e shtresës së borës në Kodrën e Diellit është 19 centimetra, ndërsa më shumë shi deri në orën shtatë të mëngjesit është regjistruar në Ohër, Tetovë, Pretor. Pozharan, Krushevë. Temperatura minimale arrin zero gradë në Shkup-Zajçev Rid, Kumanovë, Mavrovë dhe Lazaropole, një gradë në Pozharan, dy në Shkup, Petrovec, Tetovë, Kriva Pallankë dhe Krushevë, katër në Ohër, Pretor, Shtip, Berovë dhe Dibër.

Sipas DPHM, deri të martën moti do të jetë i vranët me reshje të kohëpaskohshme kryesisht të borës me intensitet të ndryshueshëm. Nesër më shumë reshje do të ketë në pjesët perëndimore, ndërsa të martën në pjesët jugore. Të mërkurën dhe të enjten pritet mot i thatë dhe stabil.