Hoxhaj fton partitë opozitare t`i bashkëngjiten ekipit negociator

Hoxhaj fton partitë opozitare t`i bashkëngjiten ekipit negociator

Aktuale dhjetor 15, 2018 - 20:56
Lexo detajet

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj i cili njëherësh është edhe pjesë e ekipit negociator në dialogun Kosovë-Serbi ka reaguar pas miratimit të rezolutës për dialogun me Serbinë. Hoxhaj ka mirëpritur këtë vendim të votuar në Kuvendin e Kosovës, transmeton “Zëri.info”.

“Miratimi i rezolutës dhe ekipit negociator për dialogun me Serbinë, sot në Kuvendin e Kosovës, është një hap shumë pozitiv që e forcon pozicionin e Kosovës në dialog. Tashmë qeveria, një pjesë e opozitës dhe shoqëria civile do të ulen në tavolinën e negociatave për fazën finale të dialogut e cila duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hoxhaj në një postim në “Facebook”.

LEXO EDHE: Hoti reagon ‘ashpër’ pas miratimit të rezolutës për dialog me Serbinë

Hoxhaj ka shkruar se me arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, Kosova do ta përmbyllë fazën e shtet-ndërtimit.

“Me arritjen e marrëveshjes finale, Kosova do ta përmbyllë fazën e shtet-ndërtimit dhe do të fokusohet në ndërtimin e një shoqërie dhe ekonomie të fortë. Prandaj, ftoj edhe partitë tjera opozitare që t’i bashkohen ekipit negociator dhe së bashku ta përmbyllim këtë proces në të mirë të shtetit të Kosovës”, përfundon postimi i tij. /ZËRI