Krasniqi: LVV-ja e LDK-ja sot kanë shmangur përgjegjësinë shtetërore

Aktuale December 15, 2018 - 18:52
Lexo detajet

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë që kjo parti përkrahë projektrezolutën e propozuar nga PSD-ja dhe në anën tjetër ai ka kritikuar mospjesëmarrjen në seancë të LDK-së dhe VV-së duke e quajtur shmangie nga përgjegjësia shtetërore, raporton “zëri.info”,.

“Është e rëndësishme që të gjithë kemi kërkuar rezolutë për dialogun me Serbinë.

Më vjen keq që sot kemi mungesë të dy partive opozitare sepse mungesa e tyre është shmangie nga përgjegjësia shtetërore, por presim që në një të ardhme t`i bashkohen procesit të dialogut pasi që kemi paraparë të kemi edhe përfaqësues të tyre në dialog”, ka thënë tutje Krasniqi.

Ai po ashtu ka thënë që tema për dialogun dhe rezoluta janë diskutuar disa herë duke kërkuar kështu konsensusin e partive politike për këtë rezolutë.

LEXO EDHE: Visar Ymeri sqaron në detaje projekt-rezolutën për dialogun të propozuar nga PSD-ja

“Është hera e disatë që në eanca po diskutojmë për dialogun dhe sa herë që është diskutuar pa dallime partiake është kërkuar që të arrihet një konsensus që përfshinë pjesëtarë nga pozita dhe opozita si dhe nga shoqëria civile. Ne sot kemi ardhur në një moment ku kemi arritur në një konsensus i cili ende nuk është gjithëpërfshirës për një çështje e cila tani është prioritet dhe institucionet duhet të merren me të”, ka thënë ai.

Ai tutje tha që me këtë rezolutë po synohet qartësimi i procesit të dialogut.

“Përmes kësaj rezolute ne po mendojmë të qartësojmë procesin e dialogut. Mendoj që rezoluta duhet të shikohet edhe në këndin ku Kuvendi fillim e mbarim duhet të ketë fjalën e tij për procesin e dialogut”, ka përfunduar Krasniqi. /ZËRI