Haxhiu: Limaj e Ahmeti vagonë të Thaçit

Aktuale December 15, 2018 - 14:07
Lexo detajet

Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu në një konferencë për media para fillimit të seancës për dialogun ka kritikuar rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate. Haxhiu ka thënë që kjo rezolutë po i thur lavde pushtetit duke tentuar kështu mbrojtjen e presidentit Hashim Thaçi, raporton “Zëri.info”.

“Është rezoluta e parë të cilën më shumë po i thur lavde pushtetit sesa vet ky subjekt politik. Projekti i Hashim Thaçit ka ngecur dhe këtë projekt të rrezikshëm po tenton ta ruaj PSD-ja”, ka thënë ajo

Me këtë rast deputetja e VV-së Shpend Ahmetin e Fatmir Limajn i ka quajtur vagon të Thaçit, pasi që presidenti nuk ka mandat kushtetues për të udhëhequr dialogun me Serbinë.

“Duke qenë që Thaçi nuk ka mandat kushtetuese atij po i duhen vagonët si bazë legjitime, si Limaj, Ahmeti e të tjerë. Aventurat e Thaçit duhet të shpallen të pavlefshme”, ka thënë Haxhiu.

LEXO EDHE: Draft-marrëveshja e Kosovës me Serbinë prezantohet në mbledhjen e qeverisë

Për sa i përket thirrjes për seancën e sotme ajo ka shtuar që vendimi është marrë në orët e vona nga një subjekt minor siç e ka cilësuar ajo PSD-në.

“Siç e kemi parë mbrëmë në orët e vona të natës janë mbledhur 42 nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të miratimit të një rezolute e propozuar nga PSD-ja,  një subjekt minor që e quan veten opozitar dhe që qëndron në Kuvend me mandate të vjedhura”, ka thënë ajo.

Pas pak pritet që të fillojë seanca e Kuvendit e ku në rend dite është votimi për miratimin e rezolutës për dialogun me Serbinë e propozuar nga PSD-ja dhe e përkrahur nga partitë në pushtet. /ZËRI