Ushtria, amaneti i përmbushur i Zahir Pajazitit

Aktuale December 15, 2018 - 08:00
Lexo tjera detaje
Image

Me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri familja e njërit prej themeluesve të UÇK-së, Zahir Pajazitit, thotë që u përmbush amaneti i tij. Për fshatin Orllan e për familjen e Zahirit pas pavarësisë, Ushtria e Kosovës është gëzimi më i madh që kanë pasur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kur dje në Kuvendin e Kosovës u votua Ligji për Transformimin e FSK-së në Ushtri Kosova la gjurmë në kalendarin e historisë dhe jetësoi ëndrrën e shumë dëshmorëve të rënë për këtë vend. Si në tërë Kosovën festë pati edhe në familjen e heroit Zahir Pajaziti.

Ejup Pajaziti, vëllai i Zahir Pajazitit, ka thënë dje për gazetën “Zëri” se familja Pajaziti pas vdekjes së Zahirit ka pasur vetëm dy gëzime, shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës. “Patëm ndjenjat më të papërshkruara, ishte gëzimi i dytë, shpallja e pavarësisë e para dhe tash formimi i Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Ejup Pajaziti.

Fjalët e Zahirit për Ushtrinë

Dje me rastin e formimit të Ushtrisë së Kosovës pranë varrit të të vëllait në Orllan të Podujevës Ejupi kujtoi fjalët e vëllait të tij kur më 1994-n u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Zahiri kur është formuar UÇK-ja në shkurt të 1994-s dhe në mars na ka treguar që është formuar e na pati thënë ‘Dalshim faqebardhë!’”, theksoi Pajaziti.

Tash kur pothuajse janë bërë 22 vjet nga vdekja e Zahir Pajazitit vëllai tij Ejupi thotë se formimi i Ushtrisë e përmbushi amanetin e Zahirit, pavarësisht se ai do të donte të shihte një Kosovë edhe më të zhvilluar. “Nëntëdhjetë për qind është përmbushur amaneti i Zahirit, me shpalljen e pavarësisë dhe me Ushtrinë e Kosovës, por do të përmbushej plotësisht me hapjen e vendeve të reja të punës që të mos na ikin të rinjtë prej Kosovës”, ka thënë vëllai i Zahirit.

Nipi i Zahirit, pjesë e Ushtrisë së Kosovës

Ejup Pajaziti vlerëson se formimi i Ushtrisë së Kosovës është vonuar dhe se është dashur të ndodhte shumë më herët. “Kosova ka bërë vonesa si në shpalljen e pavarësisë, ashtu edhe në formimin e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Rrugën e Zahirit për t’i shërbyer atdheut pa ndalur e ndjekin edhe disa familjarë të tij, të cilët janë pjesë e ushtrisë më të re në botë - Ushtrisë së Kosovës, ndër ta është edhe nipi i tij i cili e vazhdon këtë detyrë që nga ushtria e parë e Kosovës, UÇK. “Është djali i vëllait, Bajramit. Ai ka qenë në UÇK, në TMK, në FSK dhe tash në Ushtrinë e Kosovës, por janë edhe 4 familjarë më të largët”, pohoi Pajaziti.

Pajaziti tha se Kosova përherë do t’i jetë falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se do të vazhdojë të jetë aleatja më e madhe e tyre. “Kosova do të jetë aleatja më e madhe e Amerikës sepse gjithmonë na ka përkrahur Amerika, po ashtu edhe Britania”, ka thënë Ejup Pajaziti.

Familja e Zahir Pajazitit vazhdon të jetë e pakënaqur me punën e qeverive të pasluftës, kështu duke kërkuar së paku perspektivë për të rinjtë e vendit tonë.

Heroi Zahir Pajaziti lindi më 1 nëntor të vitit 1962, në Orllan të Podujevës dhe ra dëshmor më 31 janar të vitit1997 në Pestovë, Vushtrri. Pajaziti ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe dëshmor i luftës së Kosovës./ZËRI

Image