Maqedonia kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës

Aktuale December 14, 2018 - 16:34
Lexo detajet

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është shprehur njejtë sikur edhe NATO-ja sa i përket vendimit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë.

Zaev ka thënë nuk është tani momenti për tensione në rajon, andaj edhe ka bërë thirrje për kujdes, me qëllim sigurimin e paqes dhe të bashkëpunimit në rajon.

“Unë e di se edhe qëndrimi i NATO-s është kështu - nuk është koha. Nuk na duhen tensione të reja. Edhe një herë, të mos harrojmë se Ballkani nuk e ka ndërmend të bëhet përsëri barut. Ju bëj apel kolegëve, kryeministrave, kryetarëve të shteteve, të kenë kujdes në hapat e tyre për shkak se obligimi ynë i përbashkët si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, që kemi aspirata të anëtarësimit në BE, është ta zhvillojmë bashkëpunimin ekonomik, zhvillimi rajonal të rritet, të sigurojmë paqe të përjetshme, dhe të kemi integrim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Zaev.

LEXO EDHE: Qeveria e Serbisë deklarohet për formimin e Ushtrisë së Kosovës

Ai kërkoi gjithashtu shqyrtimin e vendimit të institucioneve të Kosovës edhe sa i përket taksës 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

“Apeloj që edhe masat tjera, që janë ekzistuese në pjesën e doganave të rishqyrtohen, të kthehen prapa dhe ti respektojmë organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Zaev.
Por, ndryshe nga Zaev, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti që është pjesë e koalicionit qeverisës, përmes një komunikate uroi për formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Ushtria e Kosovës është edhe një themel i paqes dhe stabilitetit për gjithë rajonit tonë me perspektivë euroatlantike, dhe që nga sot, jo vetëm Kosova, por e gjithë Evropa juglindore, përfiton edhe një aleat në betejën e ndërtimit të kapaciteteve demokratike perëndimore në vendet tona, të denja për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian” thuhet në komunikatën e kreut të BDI-së.

Ndaj deklaratës së kryeministrit, Zoran Zaev, ka reaguar partia opozitare, Aleanca për Shqiptarët duke kërkuar nga kryeministri që të tërheq këtë deklaratë.