Misioni i pamundur i Bahtirit

Aktuale December 13, 2018 - 08:01
Lexo tjera detaje
Image

Dy javë pasi Kuvendi Komunal votoi unanimisht për bashkimin e Mitrovicës iniciativa e kryetarit Agim Bahtiri ka mbetur vetëm në letër.

Madje këtij të fundit për këtë iniciativë nuk i është përgjigjur as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Derisa Bahtiri për gazetën “Zëri” shprehet i bindur për jetësimin e iniciativës së tij, deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se ky është një mision i pamundur, pasi që është kompetencë e nivelit qendror dhe jo e atij lokal.

Përndryshe, më 30 nëntor 2018 Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut votoi unanimisht pro iniciativës së kryetarit të kësaj komune Agim Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës.
Në rezolutën e votuar të Kuvendit të Mitrovicës i propozohej Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë Ligjin për Kufijtë Administrativë. Duke shfuqizuar vendimin e marrë të vitit 2007 për ndarjen e Mitrovicës, sipas Bahtirit, do të ndryshohej Ligji për Kufijtë Administrativë e rrjedhimisht të bashkoheshin edhe dy pjesët e qytetit të Mitrovicës.

Por nisma e Agim Bahtirit ka hasur në pengesën e parë të patejkalueshme e që është ligji. Sipas Nenit të Ligjit për Kufijtë Administrativë, një nismë për ndryshimin territorial të kufijve të komunave mund të merret vetëm nga presidenti, nga kryeministri, nga 6 deputetë ose edhe nga 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Bahtiri: Do ta bashkoj Mitrovicën me çdo kusht

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se është optimist se do të marrë përgjigje pozitive nga Qeveria për bashkimin e Mitrovicës ose në të kundërtën, siç thotë ai, do t’i provojë të gjitha format ligjore për ta jetësuar iniciativën e tij për një komunë të bashkuar. “Ne e kemi nisur në mënyrë legjitime në Kuvendin Komunal, në qoftë se nuk kalon do ta bëjmë peticionin me 10 mijë nënshkrime dhe nëse as peticioni nuk kalon ta shohim në rundin e tretë se çka do të ndërmarrim, por qyteti duhet të bashkohet me patjetër”, ka thënë Bahtiri.

Agim Bahtiri ka thënë se kërkesën e tij për bashkimin e Mitrovicës është duke e shqyrtuar Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, por për një gjë të tillë nuk janë deklaruar për “Zërin” as nga kjo ministri e as nga Qeveria e Kosovës. “Ne e kemi mbajtur kuvendin në Mitrovicë dhe Kuvendi unanimisht e ka aprovuar kërkesën time, tash MAPL-ja do të na kthejë përgjigje, që është nën Kushtetutën e Kosovës. Kjo është kërkesë jona. Ata kanë afat kohor dy javë për të na kthyer përgjigje për legjitimitetin e kërkesës sonë dhe pastaj pas verifikimit ligjor MAPL-ja obligohet që vendimin ta përcjellë në Qeverinë e Kosovës”, është shprehur Bahtiri.

Bahtiri mes të tjerash ka theksuar se kërkesa e tij është shumë legjitime dhe se duhet të merret seriozisht nga organet qendrore.

Deputetët, pesimistë për bashkimin e Mitrovicës

Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës iniciativën e Bahtirit e shohin të parealizueshme.

Arben Gashi, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për “Zërin” që nuk është nën kompetencë të kryetarit të Komunës që të marrë iniciativa të tilla. “Nuk ka të drejtë kryetari i Komunës të marrë iniciativa të tilla. Duhet Qeveria të marrë vendim dhe propozim për ndryshimin e Ligjit për Qeverisjen Lokale dhe Ligjin për Kufijtë Territorialë Administrativë të Komunave”, ka thënë Gashi për “Zërin”.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se ndonëse e përshëndet një iniciativë të tillë, edhe ai është shprehur pesimist se kjo mund të realizohet. “Si iniciativë është për t’u përshëndetur, por bashkimi i Mitrovicës nuk ndodh me iniciativa të tilla. Këto janë vendime pak më të vështira politike. Si iniciativë është në rregull, por shteti duhet t’i marrë këto vendime për bashkimin e Mitrovicës. Në këtë kohë jemi duke u marrë me ushtrinë dhe është temë jashtëzakonisht e rëndësishme, por do të shohim edhe temat tjera se si do të trajtohen”, ka thënë ai.

Haxholli: Iniciativa për bashkimin e Mitrovicës do të dështojë

Kurse Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se e sheh me skepticizëm këtë kërkesë të Bahtirit, pasi që, sipas saj, një gjë e tillë është e paarritshme. “Mendoj se iniciativat e tilla duhet të vijnë nga pushteti qendror. Ato që vijnë prej pushtetit lokal, në këtë rast për ta bashkuar Mitrovicën, nuk mendoj se munden të kenë sukses për shkak se kjo është çështje më madhore se pushteti lokal. Besoj se për këtë çështje mund të marrin vendim Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, por nuk besoj se do të ketë sukses një iniciativë që vjen nga Komuna e Mitrovicës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, një kërkesë e tillë nuk mund të realizohet brenda një kohë të shkurtër dhe është më serioze sesa që është nisur. “Kufijtë e komunave ndryshohen në Kuvend me dy të tretat, duke përfshirë edhe komunitetet. Kjo parashihet me Pakon e Ahtisaarit”, ka thënë ndër të tjera Haxholli./ZËRI