Komisioni nuk aprovon rekomandimet e presidentit për Ligjin për OJQ-të

Komisioni nuk aprovon rekomandimet e presidentit për Ligjin për OJQ-të

Aktuale dhjetor 12, 2018 - 15:18
Lexo Detajet

Komisioni për Administratë Publike dhe Medie nuk i ka aprovuar rekomandimet e Presidentit të Kosovës në lidhje me ligjin për OJQ-të.

Kundër këtij propozimi ishin 5 vota, 4 ishin për dhe një abstenim.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e kishte kthyer në rishqyrtim ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor të këtij viti duke kundërshtuar nenet  3 (1.3), 15 (2), 16 (2), 17 (2), 18 (2), 37, 38 (3.4 dhe 5.4), 41 (1, 1.2, 2 dhe 3), 47 (2).

Sipas Zyrës së Presidentit, praktikat e mira të regjistrimit të OJQ-së promovojnë procedura të thjeshta, të shpejta dhe pa pagesë, jo procedura të vështira.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike dhe Medie, Nait Hasani arsyetoi votën e tij kundër komenteve të presidencës

“Ne kemi votu një ligj me model gjerman për shoqëritë jo qeveritare,ne  e kemi miratu një projektligj që është në përputhje me BE-ne, andaj mund të them se ne nuk kemi bërë shkelje. Andaj them se nuk kemi shkelje të Kushtetutës, nuk kemi shkelje të rregullores të kuvendit dhe mendoj se kemi bërë vendimin e duhur. OJQ-të po kërkojnë prej neve Kuvendit se nga po i marrim pagat por ato nuk po i tregojnë të hyrat e tyre financiare”, tha Hasani.

Në anën tjetër, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina , tha se pajtohet me të gjitha vërjejtet e presidencës.

“Jam mundu mi ndal qeto nene, secili e ka mendimin e vet, ju kam paralajmëru, i kam shiku me vëmendje propozimet e zyrës së presidentit, për çudi kësaj here pajtohem me te gjitha vërejtet, jam për krejt porpozimet ne duhet mi miratu nëse dojmë me pas një ligj për garanton lirinë e asocimit, mënyrën e keqpërordimit  janë organet e tjera për me shiku jo ne, ne duhet me rregullu, mënyrën e funksionimit dhe regjistrimit të tyre”, tha Pantina.

Kështu në këtë mbledhje u vendos që Ligji për OJQ të dërgohet  në Kuvendin e Kosovës pa përkrahjen e komisionit përkatës.