Haradinaj: Mogerini e ka mbytur dialogun

Aktuale December 11, 2018 - 15:33
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka “goditur” ashpër ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë-Serbi, Frederica Mogherini, me ç’rast ka konsideruar se ajo e ka mbytur procesin e negociatave, raporton Zeri.info.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, kreu i ekzekutivit tha se deklaratat e Mogerinit për korrigjim të kufijve janë krejtësisht të papranueshme.

LEXO EDHE: Haradinaj: Lista e masave të reja ndaj Serbisë, e gatshme

“Mendoj që Mogerini e ka mbytur dialogun, e ka çrregulluar. Nga një dialog për normalizim e ka kthyer në një dialog për territore dhe kufij, për shkëmbime, që në Ballkan nënkupton destabilizim. Ajo realisht i ka shkaktuar dëm rajonit tonë, qoftë duke lejuar diskutimin, qoftë duke u deklaruar në publik për këtë. Është shumë për keqardhje pas një investimi kaq të madh të BE-së të lejohet një çrregullim kaq i madh”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, çdosecili që flet për opsione, siç është korrigjimi i kufijve, është kundër Ballkanit dhe paqes.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Evropën nuk janë të lidhura me një komisionar apo një kryeministër, sepse nuk e kam personale me askënd, por kushdo që ia lejon vetes që të flasë kësi opsionesh e di që është kundër Ballkanit, kundër paqes”, ka potencuar kryetari i qeverisë.

Ndryshe, Mogerini është deklaruar edhe njëherë ditëve të fundit rreth idesë për korrigjimin e kufijve, me ç’rast nuk e ka përjashtuar realizimin e një skenari të tillë./Zëri