Parregullsitë në QKUK, kandidatja me dy specializime nuk u punësua si specialiste

Aktuale December 11, 2018 - 10:44
Lexo Detajet
Image

Ibadete Bytyçi, specialiste e mjekësisë interne dhe specialiste e kardiologjisë, nuk ka arritur të punësohet në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), shkruan “Zëri.info”.

Ndonëse, në konkursin e datës 27 korrik të vitit 2018, ajo kishte aplikuar për pozitën mjeke specialiste e kardiologjisë në Qendër Emergjente në QKUK, pas testit me shkrim dhe pas intervistimit, ajo nuk ishte pranuar për këtë pozitë.

Për mos punësimin e saj, Bytyçi ka thënë për “Zërin” se ka pasur parregullsi gjatë vlerësimit në testin me shkrim.

“Pas rishikimit të testit, kam parë parregullsi dhe ndërhyrje në testin tim, poentim, fshirje dhe ripoentim të pikëve dhe shume pyetje të sakta janë vlerësuar me zero pikë. Unë nuk pajtohem me vlerësimin e testit, është bërë poentim, fshirje dhe ripoentim i pikëve, nga pesë pikë në tre pikë. Me pas kemi pasur intervistën dhe pas rezultatit përfundimtar, unë jam befasuar kur kam parë emrin tim në listë të papranuarve”, ka thënë ajo.

Pas ankesave të Bytyçit, Inspektorati i Punës, ka marrë vendim që të anulohet ky konkurs.

“Konformë legjislacionit në fuqi, kam kërkuar të drejtat e mia dhe kam bërë ankesë në Inspektoratin e Punës me datë: 08.10.2018. Dy javë më parë Inspektorati me ka thirr që të diskutoj për çështjen time dhe rastësisht gjatë shikimit të kopjes së testit tim, kam parë që pjesa ku unë kam cituar që: Nuk pajtohem me vlerësimin e testit, është bërë poentim, fshirje dhe ripoentim i poenave, nga pesë pikë në tre pikë, si dhe pyetjet e mija të sakta janë vleresuar me zero poena, mungonte dhe kishte vetëm nënshkrimin e kryetarit të komisionit dhe dy anëtarëve tjerë. Inspektorati i Punës ka dhënë vendimin pozitiv që të anlulohet konkursi dhe të rishpallet konform rregullores konkursi i ri”, ka thënë ajo.

Bytyçi kishte bërë edhe disa kërkesa në QKUK, për punë vullnetare, megjithatë nga aty, kishte marrë përgjigje se nuk ishte e kualifikuar.

“Kam bërë disa kërkesa në QKUK për punë vullnetare, që të jap kontributin tim profesional dhe shkencor, por përgjigje kam marr që nuk posedoj kualifikime. Nga korriku kam të dizajnuar katër projekte shkencore në fushën e kardiologjisë, për të cilat do kem mbështetje nga profesor eminent të kardiologjisë botërore, por nuk kam se ku t’i realizoj, për arsye që tanimë kam mbaruar në specializime dhe nuk jam pjesë e Klinikës së Kardiologjisë”, ka thënë ajo.

Ndonëse, nga QKUK ishte vlerësuar si e pakualifikuar për këtë pozitë, ajo ka treguar për gazetën kualifikimet që ajo ka.

“Jam Interniste, Kardiologe, kandidate në Universitetin Umea në Suedi për çrregullime të ritmit. Kam të publikuar 9 punime shkencore dhe 5 janë në pritje për publikim, me figura shumë eminente të kardiologjisë. Kam prezantuar mbi 60 prezantime nacionale dhe jam bashkëpunëtore e librit universitar "Propodeotika Mjekësore dhe Semiologji" në 8 kapituj. Jam anëtare e shoqatës se kardiologëve të Kosovës, të kardiologëve Evropian, jam anëtare e grupit të punës të shoqatës së kardiologëve evropian për funksionin miokardial, për arteroskleroze dhe biologji vaskulare, etj”, ka thënë ajo.

Bytyçi ka shtuar se me hapjen e një konkursi të ri ajo do të aplikojë prapë për atë pozitë, dhe se siç ka thënë, nuk do të hesht ndaj padrejtësive që i janë bërë asaj./Zëri/