Ngjarjet kryesore të ditës së sotme në Kosovë

Aktuale December 11, 2018 - 09:16
Lexo Detajet

Sot në vendin tonë janë planifikuar të mbahen disa ngjarje.

Gjatë ditës së sotme institucionet publike dhe shoqëria civile kanë paraparë të mbajnë disa aktivitete.

Më poshtë ju sjellim ngjarjet që pritet të zhvillohen gjatë ditës së sotme:

10:00

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, do të diskutojë me nxënësit e shkollave të mesme në temën “Avokimi i ndryshimit kulturor: Roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes”. Merr pjesë edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi. (Kafeteria Dit’ e Nat’, Prishtinë)

10:00

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) fillon me transmetim të drejtpërdrejtë “live stream” të sesioneve të tij, si një hap për transparencë më të madhe nga ana e këtij institucioni. (OShP, ish-Banka e Lubjanës)

10:00

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”. Marrin pjesë deputetë nga parti të ndryshme. (Hotel “Sirius”, Prishtinë)

10:00

Punëtorët e larguar nga KEDS, do të kthehen në vendet e tyre të punës të larguar padrejtësisht rreth dy vite më pare. (Para ndërtesës së KEDS-it, Prishtinë)

10:00

Në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në fshatin Zaqishtë të Rahovecit. (Zaqishtë, Rahovec)

10:00

Vazhdon dita e dytë e Forumit Kosovar-Maqedonas të Sigurisë 2018, që organizohet nga Fondacioni “Konrad Adenauer”, Kolegji AAB dhe Universiteti “Klement Ohridski” nga Shkupi. (Kolegji AAB, Prishtinë)

10:00

Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Komuna e Gjakovës hapin Librin e Zisë në nderim të presidentit amerikan, George H.W. Bush, i cili vdiq para disa ditësh. (Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Gjakovë)

11:00

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) do të mbajë konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. (Zyrat e BSPK-së, Prishtinë)

11:00

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) organizon ngjarjen vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore”. (Libraria “Dukagjini”, Prishtinë)

11:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Organizatës Globale të Parlamentarëve Kundër Korrupsionit (GOPAC), organizojnë tryezë për pakon ligjore kundër korrupsionit, si dhe për punën e institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Marrin pjesë dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri; Besim Kelmendi nga Zyra e Kryeprokurorit; Afërdita Bytyqi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla C405

11:00

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018″, organizohet diskutim publik për prokurimin publik në Komunën e Pejës. (Hotel “Dukagjini”, Pejë)

11:00

“Produktet Natyrale të Kosovës” organizon ceremoninë e inaugurimit të linjës së re për përpunimin e farave të kungullit. (Fabrika “Produktet Natyrale të Kosovës”, Loxhë, Pejë)

12:00

Grupi për Ballkanin lanson komponentën “Të Rinjtë në Politikë”, i cili synon avancimin e të rinjve në politikë në kuadër të projektit “Avancimi i Institucioneve të Kosovës, Demokratizimi dhe Bashkëpunimi Rajonal”, mbështetur nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë. (Rezidenca e Ambasadorit Norvegjez, “Veternik”, Prishtinë)

12:30

Zyra e UN Women në Kosovë dhe Muzeu i Kosovës rihapin ekspozitën e artit “Ngjyrat e shpirtit”. Mjetet nga shitja shkojnë për autoret e veprave -të mbijetura të dhunës seksuale të luftës së vitit 1999. (Muzeu i Kosovës)

13:00

Koalicioni K10 organizon diskutimin e hapur me temën “Edukimi Shëndetësor”, me fokus në shëndetin seksual dhe riprodhues. (Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, Prishtinë)

13:00

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor mban mbledhje lidhur me agjendën e projektligjeve në komision. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302)

13:00

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizon konferencën me temën “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve”. (“Resource Center Kosovo”, lagja Pejton)

13:00

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës dhe Komuna e Gjilanit prezantojnë “Bienalen e Arkitekturës 2018”. Marrin pjesë arkitektë nga Kosova e rajoni. (Ndërtesa e Kuvendit, Gjilan)

14:00

Komisioni parlamentar për Legjislacion shqyrton kërkesat buxhetore të institucioneve/agjencive që bien në fushëveprim të komisionit; si dhe shqyrton propozim-vendimin e Qeverisë për kandidatët për drejtor dhe zv.drejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203)

14:00

Partia Socialdemokrate mban konferencë lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë.  Do të flasin nënkryetarët Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. (Zyra e PSD-së, Arbëri)

14:00

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të organizojë tryezën e diskutimit me temën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”. Marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë. (Hotel “Sirius”, Prishtinë)

14:00

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” organizohet diskutim publik  për transparencën e institucioneve publike dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë. (Kolegji IBCM, Mitrovicë)

16:30

Bëhet promovimi i librit ” Një gur mangut” të autorit Faruk Buzhala. (Biblioteka Komunale “Sadik Tafarshiku”, Ferizaj)

18:00

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), organizon ngjarjen e fundvitit, për të shënuar të arriturat, si dhe do të prezantohen orientimet për vitin e ardhshëm. (“Sheshi 21”, Prishtinë)