Mbi 200 specialistë të papunë, ka mungesë të mjekëve në kujdestari

Aktuale December 11, 2018 - 08:31
Lexo Detajet
Image

Më shumë se 200 specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi në pritje të konkursit për punësim ndonëse spitalet rajonale dhe disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po ballafaqohen me mungesë të specialistëve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mungesat e mjekëve specialistë po vërehen edhe në shërbimin e kujdestarisë, ku disa klinika gjatë ndërrimit të natës kanë vetëm një ose më së shumti dy specialistë në detyrë.

Zyrtarë të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se në Qendrën më të madhe Klinike në vend (QKUK), në të cilën ka numër shumë të madh të pacientëve, në Shërbimin e Kujdestarisë janë të angazhuar 103 mjekë, prej të cilëve specialistë, por edhe specializantë të mjekësisë.

I janë bërë dallavere në konkurs, pret konkursin e ri për punësim

Ibadete Bytyçi, specialiste e mjekësisë interne dhe specialiste e kardiologjisë, nuk ka arritur të punësohet në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, siç thotë ajo, për shkak të dallavereve në konkurs.

Në konkursin e datës 27 korrik të vitit 2018 ajo kishte aplikuar për pozitën mjeke specialiste e kardiologjisë në Qendër Emergjente në QKUK, pas testit me shkrim dhe pas intervistimit ajo nuk ishte pranuar për këtë pozitë.

Për mospunësimin e saj Bytyçi ka thënë për “Zërin” se ka pasur parregullsi gjatë vlerësimit në testin me shkrim, gjë të cilën më pastaj e kishte verifikuar edhe Inspektorati i Punës, i cili ka marrë vendim që të anulohet ky konkurs. “Pas rishikimit të testit kam parë parregullsi dhe ndërhyrje në testin tim, poentim, fshirje, ripoentim të pikëve dhe shumë pyetje të sakta janë vlerësuar me zero pikë. Kam kërkuar ta shoh çelësin e pyetjeve nga kryetari i Komisionit për Kardiologji Tefik Bekteshi, por më është përgjigjur që nuk mund ta keni çelësin e pyetjeve, ne jemi çelësi. Unë nuk pajtohem me vlerësimin e testit, është bërë poentim, fshirje dhe ripoentim i pikëve, nga 5 pikë në 3 pikë. Më pas kemi pasur intervistën dhe pas rezultatit përfundimtar unë jam befasuar kur kam parë emrin tim në listë të të papranuarve”, ka thënë ajo.

Bytyçi kishte bërë edhe disa kërkesa në QKUK për punë vullnetare, megjithatë nga aty kishte marrë përgjigje se nuk ishte e kualifikuar. “Kam bërë disa kërkesa në QKUK për punë vullnetare, që të jap kontributin tim profesional dhe shkencor, por përgjigje kam marrë që nuk posedoj kualifikime. 

Nga korriku kam të dizajnuara 4 projekte shkencore në fushën e kardiologjisë, për të cilat do të kem mbështetje nga profesorë eminentë të kardiologjisë botërore, por nuk kam se ku t’i realizoj, për arsye që tanimë kam mbaruar në specializime dhe nuk jam pjesë e Klinikës së Kardiologjisë”, ka thënë ajo.

Ndonëse nga QKUK-ja ishte vlerësuar si e pakualifikuar për këtë pozitë, ajo ka treguar për gazetën kualifikimet që ka. “Jam interniste, kardiologe, kandidate në universitetin ‘Umea’ në Suedi për çrregullime të ritmit. Kam të publikuara 9 punime shkencore dhe 5 janë në pritje për publikim, me figura shumë eminente të kardiologjisë. Kam prezantuar mbi 60 prezantime nacionale dhe jam bashkëpunëtore e librit universitar ‘Propodeotika Mjekësore dhe Semiologji’ në 8 kapituj. Jam anëtare e Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, jam anëtare e grupit të punës së Shoqatës së Kardiologëve Evropianë për funksionin miokardial, për arteroskleroze dhe biologji vaskulare etj.”, ka thënë ajo.

Bytyçi ka shtuar se me hapjen e një konkursi të ri ajo do të aplikojë prapë për atë pozitë dhe se, siç ka thënë, nuk do të heshtë ndaj padrejtësive që i janë bërë.

Syla: Mbi 200 specialistë të papunë në Kosovë

Kryetari i Federatës Sindikale të Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se edhe pse në spitalet rajonale ka mungesë të specialistëve aktualisht mbi 200 specialistë vazhdojnë të jenë të papunë në Kosovë. “Ka mangësi për specializim në shumë fusha dhe çdo ditë kemi ankesa. Në spitale rajonale ka mangësi, kemi mangësi edhe në qendrat kryesore të mjekësisë familjare. Specialistë të papunë për mjekë të përgjithshëm janë 48-50 dhe specialistë stomatologë mbi 150. Duhet të hapet konkurs. Kur ne bëjmë apel që të hapen vende të punës ata thirren në atë se nuk e kanë buxhetin”, ka thënë ai.

Syla ka folur edhe për numrin e vogël të mjekëve kujdestarë, me ç’rast ka thënë se me mungesën e tyre edhe shërbimi është më i dobët.

Spitalet rajonale me mungesë të specialistëve

Spitalet rajonale vazhdojnë të kenë mungesë të specialistëve.

Zyrtari për Komunikim në Spitalin e Prizrenit, Shefajet Berisha, ka thënë për “Zërin” se kanë mungesë të specialistëve në fushën e emergjencës, të kardiologjisë, të hematologjisë, të nefrologjisë dhe të terapisë fizike.

Sipas tij, ata kanë bërë kërkesë për punësimin e disa specialistëve, por ende nuk u është miratuar ajo. “Më datën 18.09.2018 kemi bërë kërkesë për rekrutimin e 9 specialistëve të rinj për këto lëmi: 2 specialistë të emergjencës, 2 specialistë kardiologë, 1 specialist ortoped, 1 specialist hematolog, 1 specialist urolog, 1 specialist nefrolog dhe 1 specialist fiziatër. Jemi në pritje të miratimit të kërkesës”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë se kanë mungesë të specialistëve në disa reparte.

Sipas tij, në disa reparte edhe numri i mjekëve kujdestarë është më i vogël. “Kemi diku 93 mjekë në spitalin tonë. Në kujdestari në lëndë bazike, në kirurgji dhe në gjinekologji kujdestarojnë nga dy mjekë, një në njësi interne, një në njësi koronare, një në pediatri. 9 mjekë kujdestarojnë për momentin. Kemi mungesë në disa raporte, si në Otorinolaringologji, në Oftamologji, në rentgen. Kemi bërë kërkesë, kemi hapur konkursin, por nuk është paraqitur askush”, ka thënë ai.

Asllani ka thënë se ka specialistë që tashmë edhe kanë ikur jashtë Kosovës.

Mungesë të mjekëve që kujdestarojnë ka edhe në Spitalin e Gjilanit.

Drejtori i këtij spitali, Nisret Hajrullahu, ka thënë për gazetën se nuk kanë numër të mjaftueshëm të specialistëve në lëmin e emergjencës dhe të ortopedisë.

Mungesë të specialistëve gjatë këtij viti ka pasur edhe në disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

MSH: Vitin e ardhshëm të gjithë specialistët punësohen

Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) ka thënë për “Zërin” se janë duke u angazhuar në mënyrë që në vitin e ardhshëm të gjithë specialistët të punësohen. “MSH-ja dhe SHSKUK-ja kanë kërkuar që për vitin 2019 në SHSKUK dhe në njësitë e saj të lejohet punësimi i 300 profesionistëve shëndetësorë, prej të cilëve shumica specialistë.

Me miratimin e buxhetit do të zhvillohen edhe procedurat për rekrutimin e profesionistëve sipas nevojave që i kanë institucionet. MSH-ja është e angazhuar që gjatë vitit të ardhshëm të mos ketë specialistë të papunë”.

Sipas kësaj zyre, në vitin e ardhshëm do të fillojnë të hapen konkurset për punësimin e specialistëve. “Pas miratimit të buxhetit, në vitin tjetër të hapen edhe konkurset. Aktualisht janë dhjetëra specialistë që presin të rekrutohen në sistemin publik shëndetësor dhe të cilët pritet të angazhohen gjatë vitit 2019”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Zyrës për Medie të Ministrisë së Shëndetësisë, duke shtuar se gjatë këtij viti numri i specialistëve të rekrutuar ka mundur të jetë më i madh, siç ka thënë ajo, sikur disa prej tyre të kishin pranuar të punësohen edhe jashtë QKUK-së./ZERI