S’ka viza as gjatë presidencës rumune

Aktuale December 11, 2018 - 08:19
Lexo Detajet
Image

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se gjasat për heqjen e vizave mund të jenë më të mëdha gjatë gjysmës së dytë të vitit tjetër kur presidenca e BE-së do t’i kalojë Finlandës. Prej 1 janarit deri më 30 qershor 2019 presidencën e BE-së do ta ketë Rumania, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian nuk pritet të ndodhë as në gjysmën e parë të vitit 2019 kur presidencën e BE-së do ta ketë Rumania, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kështu kanë vlerësuar për “Zërin” njohësit e integrimeve evropiane, sipas të cilëve gjasat për heqjen e vizave mund të jenë më të mëdha gjatë gjysmës së dytë të vitit tjetër kur presidenca e BE-së do t’i kalojë Finlandës.

Ekspertët e integrimeve thonë se zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk duhet të përmendin data rreth çështjes së liberalizimit të vizave, pas premtimeve se një gjë e tillë do të ndodhë deri në fund të këtij viti, por duhet të fokusohen në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit.

Sipas tyre, nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim, atëherë ka mundësi që procesi i liberalizimit të vizave të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së gjatë vitit 2019, mirëpo nëse nuk ndodh kjo gjë atëherë data më reale për heqjen e vizave mbetet viti 2020.

Murati: Rumania nuk do ta fusë në agjendë çështjen e vizave

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin”  se gjasat që çështja e vizave të futet në Këshill të Ministrave gjatë vitit 2019 janë gati se të pamundura, sepse zgjedhjet brenda Parlamentit Evropian që do të mbahen në maj të vitit tjetër do ta zvarrisin këtë proces. “Rumania do ta marrë presidencën më 1 janar 2019. Kjo mund të krijojë skepticizëm sepse Rumania nuk na ka njohur dhe nuk mund të na përfshijë në agjendë, por jodomosdoshmërish kjo qëndron sepse nëse do të kishte klimë të gatshme përbrenda BE-së normalisht që mundet edhe Rumania ta përfshijë në agjendë. Unë e shoh si të pamundur përfshirjen e Kosovës në agjendë përgjatë periudhës janar – qershor, për shkak se do të ketë zgjedhje të reja në Parlamentin Evropian dhe kjo është arsyeja pse na ka përfshirë në agjendë Austria tash së fundmi”, ka thënë Murati.
Ai vlerëson se nuk duhet assesi të jepen data për liberalizim, sepse heqja e vizave për Kosovën është proces i komplikuar. “Duhet të kihet parasysh që është mirë të mos lidhemi prapë për data, sepse e kemi parë që kjo është një qasje e gabuar dhe nuk është lotari me të cilën mund të luajmë, por është proces më i komplikuar e joçdoherët me kushte formale, por shpesh edhe me aspekte politike të imponuara nga brenda”, ka thënë ai.

Shasha: Luftimi i korrupsion, sfidë kryesore për vizat

Demush Shasha, nga instituti “Epik”, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që nëse Kosova shënon progres në fushën e drejtësisë, atëherë një gjë e tillë do të mundësonte që procesi i liberalizimit të vizave të mundë të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së gjatë vitit 2019. “Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Institucionet e Kosovës nuk duhet të përmendin data rreth çështjes së vizave, por të fokusohen në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit. Nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim procesi i liberalizimit të vizave mund të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së gjatë vitit 2019”, ka potencuar ai.

Progres, sipas tij, do të nënkuptonte ndalimin e presionit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një mjedisi pozitiv, transparent dhe të besueshmërisë së sistemit të drejtësisë, i cili bazohet në punën e njerëzve profesionistë, apolitikë dhe me integritet publik. “Vetëm qasja e tillë serioze mund të jetë levë e presionit pozitiv që Kosova mund t’ua bëjë vendeve anëtare, ku dëshmohet qe kemi arritur të jemi storie e suksesit dhe meritojmë të trajtohemi si partner i vërtetë evropian”, ka theksuar ai.
Mirëpo, sipas tij, kohëve të fundit Kosova ka shënuar hapa mbrapa në sundimin e ligjit, gjë që ka thelluar skepticizmin e vendeve anëtare dhe ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërkohë Shasha ka thënë që presidenca e BE-së ndërrohet çdo 6 muaj nga një vend anëtar te tjetri. Pas përfundimit të presidencës momentale të Austrisë më 31 dhjetor 2018, Romania do ta këtë presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian për 6 muaj, nga 1 janar deri më 30 qershor 2019. Presidenca ushtrohet në kuadër të asaj që quhet sistemi i ‘Trios Presidenciale’. ‘Trio Presidenciale’ përbëhet prej tri vendeve anëtare: vendi i fundit i cili ka pasur presidencën, vendi i cili ka presidencën dhe vendi i cili do ta këtë presidencën për 6 muaj të ardhshëm.
Sipas tij, këtë “Trio Presidenciale” nga 1 janari 2019 do ta përbëjnë Austria, Romania, Finlanda, gjë që do të jetë sfidë për vizat e Kosovës. “Do të jetë shumë sfiduese që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të arrijë në kuadër të presidencës së Rumanisë, por sado që do të jetë sfiduese nuk do të jetë e pamundur, pasi Romania pavarësisht që nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës ka mbështetur procesin integrues të Kosovës në vazhdimësi”, ka thënë Shasha.

Tahiri: Shtyrja e afatit për liberalizim, e padrejtë për Kosovën

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, duke folur për heqjen e vizave për kosovarët ka thënë që çfarëdo shtyrje ndaj këtij procesi është e padrejtë nga ana e Bashkimit Evropian. “Parlamenti Evropian ka vendosur për këtë proces dhe çështja po shqyrtohet në Këshill të Ministrave, i cili duhet të vendosë me shumicën e votave 60% të popullatës ose 55% të votave të pranishme dhe arsyeja se pse nuk po futet në agjendë të Këshillit është e pakuptueshme dhe po bëhet për arsye politike. Unë konsideroj që faktori kyç janë 5 vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe është problematike të shqyrtohet çështja e liberalizimit të vizave sepse ky është një rast shumë i veçantë sepse asnjëherë BE-ja nuk është ballafaquar me një situatë të tillë”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.


Ndërsa lidhur me atë se kur pritet që vizat e Kosovës të futen në agjendë të Këshillit të Ministrave Tahiri ka theksuar se kjo gjë nuk pritet të ndodhë as në periudhën e parë të vitit 2019. “Nuk pritet as Rumania ta nxjerrë në votim në Këshill të Ministrave çështjen e vizave të Kosovës. Komisionari Hahn tha që deri në vitin 2020 do të shtyhet kjo çështje dhe kjo vjen si pasojë e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen brenda BE-së”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se shtyrja e këtij procesi është trup për Evropën./ZERI