Veriu, në vakum institucional

Aktuale December 11, 2018 - 07:57
Lexo Detajet
Image

Sot bëhen pesëmbëdhjetë ditë prejse kryetarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje, ndërkohë Zyra Ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ende nuk ka dalë me vendim nëse duhet të pranohen këto dorëheqje ose jo, pasi në dorëheqje kryetarët serbë të këtyre komunave i janë referuar Republikës së Kosovës si “Kosova e Metohija”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Por, mosdhënia e verdiktit nga Zyra Ligjore në MAPL po e zgjat kohën e vakumit institucional në atë pjesë të Kosovës, pasi nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore. Referenca “Kosova e Metohija” në dorëheqjet e kryetarëve veriorë pavarësisht që mohon Kosovën Republikë, vlerësohet që nuk duhet të jetë arsye për mospranimin e dorëheqjeve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Se si do të veprohet më tutje me komunat në veri gazeta “Zëri” ka dërguar pyetje në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, por zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë se ende nuk ka vendim.

Kurse nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Fatmir Mujka, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se presidenti Hashim Thaçi e ka krijuar këtë situatë në veri. “Presidenti Thaçi e ka krijuar këtë situatë të paqëndrueshme në veri, as s’po gjen zgjidhje për kryetarët e dorëhequr, por në anën tjetër as nuk po krijon mundësitë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar komune, sepse e ka lënë KQZ-në jofunksionale dhe në këtë mënyrë nuk mund të thirren zgjedhjet e jashtëzakonshme. Meqë ata nuk po gjejnë zgjidhje i bie se po u konvenon kjo situatë”, ka deklaruar Mujka.

Mujka theksoi se Qeveria duhet sa më shpejt t’i drejtohet presidentit për të kërkuar zgjedhje, sepse siç tha ai situata aktuale përveçqë krijon armiqësi mes dy popujve po shkakton edhe probleme në raport me ndërkombëtarët.

Kurse anëtarja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Xhevahire Izmaku, ka thënë për gazetën “Zëri” se ky komision nuk ka informata nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal se si do të veprohet pas këtyre dorëheqjeve në veri. “Dorëheqjet janë nën kompetencë direkte të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të gjitha vendimet që janë marrë interpretohen për ligjshmëri nga Zyra Ligjore në kuadër të kësaj ministrie”, ka theksuar Izmaku.

Ajo ka thënë se nëse deri javën tjetër nuk merret vendimi nga Zyra Ligjore Komisioni për Qeverisje Lokale do të kërkojë përgjigje të menjëhershme nga Ministria.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu në një prononcim për “Zërin” ka pohuar se sado ofendues dhe jokushtetues që është emërtimi “Kosova e Metohija” nuk duhet të jetë pengesë për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Sipas Baraliut, kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serbë i referohen Kosovës në këtë formë dhe kjo nuk duhet të jetë arsye për të penguar punën e institucioneve të Kosovës.

Baraliu ka thënë se me këto vonesa Qeveria e Kosovës po mundohet t’u shmanget përgjegjësive dhe detyrimeve ligjore që ka. “Qëndrimi i Qeverisë është se ato dorëheqje nuk qenkan valide, sepse aty përmendet emërtimi jokushtetues ‘Kosova e Metohija’, është thjesht një përpjekje për t’u shmangur nga përgjegjësia dhe nga detyrimet ligjore, dihet që vazhdimisht serbët i referohen Kosovës në këtë mënyrë, prandaj nuk është hera e parë dhe kjo nuk është justifikim e as arsye që të mos veprohet”, ka thënë Baraliu.

Më tutje ai e ka quajtur joserioze qasjen e Qeverisë karshi kësaj çështjeje, duke kërkuar që të veprohet brenda afateve ligjore dhe të kërkohen zgjedhje të reja. “Qeveria është dashur të veprojë patjetër dhe mosveprimi i saj flet për joseriozitetin dhe papërgjegjshmërinë që ka. Duhet të veprohet menjëherë dhe pa humbur kohë, kjo është përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë dhe e pushtetit lokal, prandaj ata duhet të kërkojnë sa më shpejt nga ana e Presidencës që të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Baraliu./ZERI