Kajtazi: Xhemajl Mustafa dhe të tjerët u vranë sepse ishin kundërshtarë të PDK'së

Aktuale December 10, 2018 - 22:35
Lexo Detajet

Gazetari Vehbi Kajtazi ka folur në emisionin "Pressing", në televizionin T7, për viktimat e pasluftës, për të cilat ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi.

Ai ka thënë se e pakta që shoqëria duhet të bëjë është të shfaqë respekt ndaj sistemit gjyqësor.

Për Kajtazin, Partia Demokratike e Kosovës është parti e cila ka udhëhequr një sistem të tillë gjyqësor, i cili tani nuk iu shërben as atyre. Sipas tij, shoqëria jonë sot gëzon një sistem të kapur, me gjyqtarë të emëruar nga Adem Grabovci dhe të tjerët.

“Ne kemi treguar që nuk kemi fije respekti për gjyqësorin e pavarur, politika në Kosovë, e udhëhequr nga PDK, ka ndërtuar një sistem të tillë gjyqësor, sa më nuk iu shërben as atyre. Pra kemi një sistem të kapur me gjyqtarë të emëruar nga Adem Grabovci dhe të tjerët, dhe në këtë situatë është iluzion të besosh se qysh dikush mundet të na besojë gjithë këto dyshime kaq të mëdha që ne i hetojmë dhe i gjykojmë vet. Pra kjo është hajgare”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka shtuar se duhet të zbardhen vrasjet e figurave të pasluftës, duke i përmendur me emra, dhe duke pytur se çfarë faji kanë pasur figurat si Xhemail Mustafa, Haki Imeri dhe të tjerë.

Ai ka thënë se duhet të kuptohet se çfarë faji mund të ketë pasur Shaban Manaj, trupi i të cilit është djegur në një përudhë të pas luftës.

Kajtazi ka thënë se në dokumentet hetimore thuhet se ato figura janë vrarë për një arsye, sepse kanë qenë kundërshtarë të PDK'së.

"për këta njerëz të vrarë duhet të japë dikush përgjegjësi. Dikush duhet të dalë para drejtësisë për këta njerëz”, ka thënë Kajtazi.