Mogherini nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të kufijve

Aktuale December 10, 2018 - 17:17
Lexo Detajet

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, por ka theksuar se një korrigjim i mundshëm, nuk do të duhej të jetë i bazuar përmes vijave etnike.

“Pavarësisht se për cilat adoptime do të pajtoheshin palët në të ardhmën, rezultati nuk duhet të ishte spastrimet etnike të vendeve. Në çfarë do rasti, të dyja vendet duhet të mbesin shumetnike” ka thënë Mogherini.

Ajo i bëri këto deklarata, pas takimit të sotëm të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Shefat e diplomacisë se vendeve anëtare të BE-së, diskutuan për situatën në Ballkanin Perendimor, por pjesën më të madhe të kohës biseduan për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Mogherini porositi të dyja vendet se është “në përgjegjësinë e tyre e ardhmja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”.

“Ne atyre iu ofrojmë ndihmë, hapësirë dhe këshilla, por është në anën e tyre të përcaktojnë shpejtësinë dhe rezultatin e dialogut” ka thënë Mogherini.

Ajo e pranoi se dialogu aktualisht është në “vështirësi” dhe arsye për këtë, ndër të tjera, e përmendi edhe tarifën që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për mallrat serbe dhe të Bosnjës.

Mogherini përsëriti thirrjen ndaj institucioneve të Prishtinës të tërheqin vendimin për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja.

Përkundër gjithave, shefja e diplomacisë evropiane, shfaqi shpresën se ende është e mundur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë konkluduar se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është i bllokuar, konfirmoi pas takimit, ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq Buriq.