Pozita fajëson opozitën për ngecjen e punëve të Kuvendit

Aktuale December 10, 2018 - 15:48
Lexo detajet

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta kryejë as gjysmën e punës së planifikuar për këtë vit, duke miratuar vetëm 68 nga 170 ligjet sa janë paraparë në agjendën legjislative. Ndërkohë që shumica e seancave kanë përfunduar pa u kryer pikat e rendit të ditës për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, për ngecjen e punës së Kuvendit e ka fajësuar opozitën.

“Është dashur që shumë ligje të ishin të përfunduara, por po shihet si po shkon situata për shkak të opozitës. Logjika e një deputeti të opozitës për t’i bojkotuar seancat është logjikë e gabueshme, sepse ne jemi të thirrur të marrim pjesë në seanca dhe të kontribuojmë në aprovimin dhe në votimin e ligjeve”, ka deklaruar Selmanaj, për "Zërin"

LEXO EDHE: Kuvendi s’e ka kryer as gjysmën e punës për këtë vit

Por sipas tij, pavarësisht që opozita nuk e ka për obligim t’ia bëjë kuorumin koalicionit qeverisës, është detyrë e secilit deputet të marrë pjesë në seancë.

“Detyrë e secilit deputet është të marrë pjesë në seancë, mund të votojnë edhe kundër, por jo t’i bojkotojnë dhe të mos marrin pjesë”, është shprehur Selmanaj. /ZERI