Qehaja: Buxheti i ulët nuk duhet të na shqetësojë

Aktuale December 10, 2018 - 14:52
Lexo detajet

Njohësi i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, e ka vlerësuar pozitivisht caktimin e seancës për miratimin e ligjeve përmes së cilave FSK-së i jepet mandati ushtarak. Ai miratimin e këtyre ligjeve e ka vlerësuar si fillim të formësimit të Forcave të Armatosura, shkruan gazeta "Zëri".

“Më në fund po i japim fund çështjes së dokumentacionit dhe po fillojmë me formësimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Kujtoj që është bërë një hap shumë pozitiv që është dashur të bëhej para tri ose katër vjetëve, por e rëndësishme është që tani po i jepet kompetenca ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka vlerësuar Qehaja.

Sipas tij, janë të pritshme edhe kundërshtimet nga disa shtete anëtare të NATO-s, megjithatë ai ka thënë se nuk do të prishen marrëdhëniet Kosovë - NATO.

LEXO EDHE: Tahiri: Kundërshtimi nga disa shtete nuk e pengon formimin e ushtrisë

Qehaja ka thënë se përkrahja e një superfuqie si Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendimtare në këtë proces. Prandaj ai ka thënë se Kosova është me fat që ka përkrahjen e SHBA-së në këtë drejtim.

Kurse çështja e buxhetit të vogël për ushtrinë nuk është problem sipas tij.

“Nuk është problemi te buxheti sepse ne nuk mundemi menjëherë t’i kryejmë të gjitha punët. Duhet që Ministria e Mbrojtjes të bëjë planin afatshkurtër e afatmesëm të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe sipas planifikimit do të shtohen edhe mjetet. Ne nuk mundemi menjëherë të kemi pesë mijë ushtarë aktivë dhe tre mijë rezervë, siç planifikohet, por drejt kësaj shkohet gradualisht”, ka përfunduar Qehaja. /ZËRI