Ymeri reagon ndaj arrestimit të Petroviqit nga BIA serbe

Aktuale December 10, 2018 - 13:52
Lexo detajet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate Visar Ymeri ka reaguar pas arrestimit të deputetit serb Sllobodan Petroviq nga Agjencia e Inteligjencës Serbe (BIA). Me këtë rast ai ka hënë që duhet reagim ndaj trysnive që institucionet e Serbisë po ushtrojnë ndaj qytetarëve të Kosovës, transmeton “Zëri.info”.

“Rrëfimi i deputetit Sllobodan Petroviq për trysninë e ushtruar ndaj tij nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë është shqetësues. Ndaj kësaj duhet të reagojmë. Jo vetëm pse Serbia po vazhdon me kërcënimin, shantazhin dhe dhunën ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por edhe për shkak të qëllimit politik të kësaj lloj trysnie. Dhe ky nuk është rasti i vetëm: në të njëjtin drejtim janë edhe rastet e kërcënimeve të shumta ndaj pjesëtarëve të FSK-së të cilët janë detyruar ta lëshojnë vendin e punës”, ka shkruar Ymeri në një postim në “Facebook”.

LEXO EDHE: Petroviq: Serbia po krijon frikë dhe pasiguri

Tutje ai Serbinë e ka cilësuar si problemin kryesor dhe shkaktarin e mos integrimit të serbëve në jetën politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës.

“Këto raste dëshmojnë se Serbia ka qenë dhe mbetet problem kryesor dhe shkaktari i mos integrimit të serbëve në jetën politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës. Sepse kështu, dhe vetëm kështu, Serbia mund t’i instrumentalizojë ata për qëllimet e veta politike. Në këtë pikë shihet qartë që interesat e Serbisë në Kosovë janë të kundërta, madje përjashtuese, me interesat e serbëve të Kosovës. Këta të fundit edhe kanë, por edhe kanë filluar ta shohin, interesin e tyre qytetarë në integrim e jetesë të përbashkët”, ka shkruar tutje ai.

LEXO EDHE: Petroviq tregon detaje tronditëse pas arrestimit nga BIA serbe

Ymeri ka kërkuar mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

“Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Dhe duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen dhe mirëqenien e të gjithëve. Secila trysni, secili kërcënim, secili akt dhune, ndaj cilitdo qytetarë të Republikës së Kosovës është shqetësues, dhe duhet të jetë i papranueshëm”, përfundon postimi i tij.

Deputeti Petroviq është arrestuar të shtunën në pikëkalimin kufitarë në Merdare nga BIA serbe e ku siç ka pohuar ai është marrë në pyetje për FSK-në e për ushtrimin e detyrës si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu për “Zërin”, Petroviq ka thënë që Serbia është duke krijuar frikë dhe pasiguri tek qytetarët. /ZËRI