Ismaili: Ndalëm korrupsionin në blerjen e barnave, shpëtuam mbi 6 milionë euro

Aktuale December 10, 2018 - 12:03
Lexo detajet

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën ka folur për luftimin e korrupsionit dhe keqmenaxhimit në blerjen e barnave e cila ka ndodhur për disa vite me radhë.

Gjatë kësaj konference, ministri Ismaili ka bërë publike dëshmi të cilat tregojnë se për shumë vite janë blerë barna me çmime shumëfish më të shtrenjta.

Me këtë rast, ai ka thënë se gjatë vitit 2018, kjo praktikë, jo vetëm që është ndalur, por edhe janë blerë 6 milionë euro më lirë barnat e njëjta me të njëjtën sasi sesa vitet paraprake.

“Për vite me radhë janë keqpërdorur miliona euro të buxhetit të shtetit në blerjen e barnave me çmime të fryra. Por, ne po i themi stop korrupsionit. Vetëm për një vit, shpëtuam 6 milionë euro, blemë më shumë barna, aparatura mjekësore dhe ndërruam shtretërit në QKUK”, tha ai, shkruan lajmi.net.

Më tej, ministri Ismaili ka marrë shembull vetëm njërin nga barnat e cila përdoret për trajtimin e pacientëve të sëmurë nga kanceri dhe leukemia për të dëshmuar keqpërodrimin e madh të buxhetit të shtetit që ka ndodhur.

“Korrupsioni lart në institucione varfëron me mijëra familje poshtë. Duke e goditur korrupsionin, ne kemi kursyer qytetarët.  Kjo më së miri mund të shihet në rastin e Imatinibit, një ilaç kundër sëmundjeve të kancerit dhe leukemisë. Në vitin 2016 imatinibi është blerë për 652 mijë euro, ndërsa sasinë e njëjtë, ne e kemi blerë për 75 mijë euro. Do të thotë, që vetëm për një kontratë, ne kemi shpëtuar 577 mijë euro. Kjo është politika jonë dhe do të vazhdojmë me të deri në një transformim radikal të shërbimeve shëndetësore, deri sa institucioneve tona, mjekëve, e qytetarëve t’u kthehet dinjiteti profesional e njerëzor”, tha ministri Ismaili.

Duke folur për parandalimin e kësaj dukurie, ministri Ismaili tha se Kosova, nën udhëheqjen tij të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk do të blejë më barna më shtrenjtë sesa vendet e rajonit.

“Këtë kapitull të keqpërdorimit të parave po e mbyllim këtë vit. Puna jone nuk ka mbaruar, do të vazhdojmë me veprime të tjera që ruajnë buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve. Ky është vetëm viti i parë, por unë sot shoh një optimizëm edhe te qytetarët, edhe te punëtorët shëndetësore.  Tek ta shihet një gatishmëri më e madhe për të qenë pjesë e luftës tonë për përmirësimin e shëndetësisë”, ka përfunduar ministri Ismaili.