Blakaj: Aktakuzat e para, në fillim të 2019-s

Aktuale December 08, 2018 - 15:38
Lexo detajet

Ftesa për intervistim e komandant “Remit” nga ana e Prokurorit të Specializuar po shihet si hap i parë i punës së kësaj Prokurorie në drejtim të ngritjes së aktakuzave të para dhe të arrestimit të mundshëm të ish- krerëve të UÇK-së, të cilët janë të dyshuarit e mundshëm të kësaj Prokurorie, shkruan gazeta "Zëri".

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka konsideruar se në fillim të vitit të ardhshëm mund të nisin aktakuzat dhe arrestimet e para nga Prokurori i  Specializuar.

“Besoj që qysh në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të ketë aktakuza të para dhe ndoshta më vonë gjatë vitit të ardhshëm do të fillojnë edhe proceset gjyqësore. Përndryshe s’do të kishte pasur kuptim që të pritet edhe më gjatë që të ngrihen aktakuzat. Prokuroria ka punuar, ka mbledhur të dhëna dhe tek tash ka ardhur rendi të intervistojë qoftë të dyshuarit ose dëshmitarët” ka thënë Blakaj, për "Zërin".

LEXO EDHE: Nis 'furtuna' e Speciales

Pavarësisht faktit që avokati i komandant “Remit” nuk ka treguar cilësinë e ftesës së klientit të tij, Blakaj pretendon se ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

 “Nuk mundem të paragjykoj nëse është i ftuar si dëshmitar ose si i dyshuar, mirëpo unë besoj se gjasat janë më të mëdha që është ftuar si i dyshuar ta japë deklaratën e vet fillestare”, është shprehur ai.

Andaj ditëve dhe javëve në vazhdim sipas tij do të dalin edhe informacione më të sakta se kush tjetër është ftuar të dëgjohet nga Prokuroria e Specializuar.