Ferati: Dorëheqjet e kryetareve të komunave me shumicë serbe janë të parevokueshme

Aktuale December 08, 2018 - 12:40
Lexo tjera detaje

Komunat veriore kanë mbetur pa kryetar tash e 11 ditë, por Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ende nuk ka marrë vendim nëse do të pranohen dorëheqjet dhe të shpallen zgjedhjet e reja në ato komuna. Zyrtarët nga kjo Ministri kanë thënë për gazetën “Zëri” se Zyra Ligjore është duke i vlerësuar dorëheqjet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për këtë çështje, ish-ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se zgjedhjet duhet të shpallen sepse dorëheqjet e kryetarëve të komunave me shumicë serbe janë të parevokueshme, pavarësisht se si kanë rrjedhur gjërat Ferati pohoi se nuk është në kompetencë të kryeministrit e të askujt të mos i pranojë ato. “Nuk është në kompetencë të askujt t’i pranojë ose jo këto dorëheqje, pasi ato janë të parevokueshme dhe nga aspekti ligjor nga momenti kur mungon kryetari zgjedhjet duhet të shpallen në bashkëpunim të presidentit me KQZ-në”, ka thënë Ferati.

LEXO EDHE: Komunat veriore, pa kryetar e pa zgjedhje

Mirëpo sipas ish-ministrit Ferati, përveç aspektit ligjor që lejon të shpallen zgjedhjet duhet të shikohet edhe situata aktuale që mbretëron në veri të Kosovës. “Përveç aspektit legal duhet të vlerësohet edhe cila është situata në veri sepse kemi të bëjmë me një situatë të komplikuar, mundësi bojkoti etj. dhe realisht është një sfidë mes asaj që quhet respektimi i ligjit dhe i gjendjes në terren”, ka thënë Sadri Ferati.

 Njohësi i çështjeve juridike Riza Smaka ka thënë për gazetën “Zëri” se dorëheqjet e këtyre kryetarëve normalisht se çojnë në zgjedhje nga ana ligjore, porse kjo temë ka karakter politik në suaza më të mëdha. Smaka ka thënë se tani për tani nuk duhet të shikohen mundësitë e zgjedhjeve, por duhet të analizohen arsyet e këtyre dorëheqjeve. “Këto dorëheqje janë aferë politike e dirigjuar nga Beogradi dhe përfundimi me zgjedhje nuk mund të parashikohet, sepse krejtësisht kjo varet nga relacionet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, po ashtu edhe nga Unioni Evropian. Dorëheqjet e tyre kanë tendencë për ta destabilizuar skenën politike në vendin tonë dhe për ta futur këtë situatë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Smaka./ZËRI