Sejdiu: Qeveria po e sheh buxhetin si diçka të vetën

Aktuale December 07, 2018 - 11:30
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu në seancën plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, teksa po shqyrtohet buxheti për vitin 2019, tha se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm është më shumë shpenzues, raporton “Zëri.info”.

 Sipas tij, qeveria buxhetin po e sheh si diçka të saj personale.

“Ky buxhet më shumë është shpenzues se sa që krijon pasuri dhe mirëqenie. Mungojnë investimet e qarta që prodhojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës. Edhe në këtë projektbuxhet qeveria po tregon se e sheh buxhetin si diçka të vetën, diçka personale”, tha ai. Sejdiu foli edhe për buxhetin e paraparë për sistemin e drejtësisë, të cilin e konsideroi të pamjaftueshëm.

“Rritja e buxhetit për sektorin e drejtësisë po i bie të jetë për 6%. Kemi një qeveri që e ka dëshmuar se ligjin e sheh si rekomandim dhe jo obligim. Nëse drejtësia është prioritet duhet të alokohen mjete. Nuk besoj se buxheti do të rritë zhvillimin ekonomik”, tha ai.

Ai në fund bëri të ditur se nuk do ta përkrahë buxhetin e paraparë për vitin 2019./ZËRI.