Shpendi 'tradhton' Prishtinën

Aktuale December 07, 2018 - 07:52
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Shpend Ahmeti, i cili e drejton Komunën e Prishtinës, ka gjasë që të përfshihet në ekipin negociator për dialogun me Serbinë nëse e merr bekimin e Kuvendit. Por Ahmeti po kritikohet për angazhimin tjetër politik, pasi që vlerësohet se qeverisja me kryeqytetin do të binte në plan të dytë ndonëse qytetarët ballafaqohen me probleme të shumta, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Partia Socialdemokrate (PSD) bashkë me Nismën e Alternativën kanë dërguar tashmë në Kuvendin e Kosovës një projektrezolutë për dialogun, me anë të së cilës synohet që partitë e koalicionit qeverisës dhe të opozitës të kenë pjesëmarrje të barabartë në ekipin negociator.

Deri më tash është përmendur se kryetari i PSD-së e njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, do ta kryesojë ekipin negociator bashkë me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Por, përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se angazhimi i Ahmetit në dialog e lë nën “hije” drejtimin e Komunës së Prishtinës.

Megjithëkëtë, nga PSD-ja i kanë thënë gazetës “Zëri” se pjesëmarrja e këtij subjekti në delegacionin shtetëror varet krejt nëse partitë politike e mbështesin projektrezolutën në fjalë.

Madje, sipas tyre, ende nuk janë caktuar as emrat e mundshëm që do të mundë të jenë pjesë e ekipit në fjalë. Por, edhe në rast të përfshirjes së Shpend Ahmetit në këtë ekip nga PSD-ja kanë thënë se ai nuk do ta shpërfillë në asnjë formë Komunën e Prishtinës.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se nëse Komuna është prioriteti kryesor i Ahmetit ai nuk do të duhej assesi të bëhej pjesë e delegacionit për dialog.

Kuçi: Edhe në rast të përfshirjes në dialog Ahmeti nuk e shpërfill Komunën

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se projektrezoluta e PSD-Nismës-Alternativës nuk flet për emra të përveçëm e as për subjekte politike, por për ndërtimin e delegacionit shtetëror në raportin pozitë-opozitë. Andaj, sipas saj, ende nuk është definitive nëse PSD-ja do të jetë pjesë e ekipit. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të PSD-së në këtë delegacion, sipas saj, do të varet nga votimi ose jo i projektrezolutës PSD-Nisma-Alternativa.

Tërë ajo që do të ndodhë më tutje, siç ajo është shprehur, varet nga gatishmëria e partive për ta mbështetur ose jo projektrezolutën në fjalë, e cila sipas saj paraqet propozimin më përmbajtjesor dhe më serioz për t’u bashkuar kundrejt Serbisë në dialogun e Brukselit.

Me një veprim të tillë Kuçi ka deklaruar se do të themelohej delegacioni i përbashkët shtetëror me vendimmarrje konsensuale.

Sa i përket mundësisë së përfshirjes së kryetarit Ahmeti në ekipin negociator, Kuçi ka thënë se edhe nëse ndodh një gjë e tillë ai nuk do ta shpërfillë Komunën.

“Komuna e Prishtinës është prioritet i angazhimit të kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti. Në rast të përfshirjes së tij në procesin e dialogut me Serbinë kryetari i Komunës jo vetëm që nuk do ta shpërfillë punën në Komunë, por do të ndërmarrë masa shtesë për ta mirëmbajtur e për ta zhvilluar më tutje dinamikën pozitive dhe zhvillimore aktuale të Prishtinës”, ka potencuar ajo.                                                     

LVV: Ahmeti nuk e ka besueshmërinë për ta përfaqësuar Kosovën

 Shefja e Grupit të Asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari, ka vlerësuar se kryetari i Komunës Shpend Ahmeti nuk ka besueshmëri për ta përfaqësuar Kosovën në procese siç është dialogu.

“Fillimisht kryetari Ahmeti nuk e ka besueshmërinë e mjaftueshme për përfaqësimin e vendit në nivele kaq të larta, pasi siç dihet ai ka tradhtuar votuesit dhe ka lënduar shpresat e qytetarëve të Prishtinës duke vjedhur mandatin nga qytetarët dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka deklaruar ajo.

Shabani-Bajraktari më tej ka thënë se Ahmeti aktualisht me shumë vështirësi ia del që ta krijojë shumicën e thjeshtë në Kuvendin Komunal, ndërkohë që pretendon të hyjë në procese nacionale.

“Mendoj që vonesat në zbatimin e projekteve në mandatin e parë dhe ngathtësia e shfaqur në fillimin e zbatimit të premtimeve në mandatin e dytë e fusin kryetarin Ahmeti në shumë obligime dhe shumë punë për t’i zbatuar projektet e 100 zotimeve ‘Prishtina, qytet në çdo lagje’”, ka theksuar ajo.

Ismaili: Si kryetar i Prishtinës Ahmeti s’do të duhej të ishte pjesë e dialogut

Valmir Ismaili, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus” (D+), ka vlerësuar se tash e një kohë prioritet i Shpend Ahmetit janë zhvillimet politike nacionale e jo çështjet e Komunës së Prishtinës.

Por angazhimi i tij në nivel qendror, sipas Ismailit, do të ndikojë negativisht në qeverisjen e Prishtinës.

“Nuk ka dyshim që angazhimi i madh në nivel nacional i Ahmetit do të ndikojë në performancën e tij në Komunë të Prishtinës. Kjo natyrisht që do të ketë ndikim në kualitetin e qeverisjes së Komunës së Prishtinës”, ka nënvizuar Ismaili.

Rrjedhimisht, siç ai është shprehur, Ahmeti do të investojë shumë më shumë në nivel qendror, aty ku sipas Ismailit i ka ambiciet e tij për të ardhmen.

“Fatkeqësisht barrën e krejt kësaj do ta bartin qytetarët e Prishtinës, të cilët po përballen përditë e më shumë me probleme të shumta”, ka potencuar ai.

Ndërkohë ka vlerësuar se Ahmeti nuk do të duhej të ishte pjesë e ekipit negociator po që se do ta konsideronte primare Komunën.

“Nëse interesi primar i Ahmetit do të ishte qeverisja e Komunës së Prishtinës ai nuk do të duhej të ishte pjesë e dialogut. Sidoqoftë, edhe një herë po e potencoj që ambiciet e Ahmetit tani janë diku tjetër dhe jo në Komunën e Prishtinës”, ka përfunduar ai.