Gashi: Remi ishte pro Speciales

Aktuale December 06, 2018 - 21:36
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ish- komandanti i UÇK-së Rrustem Mustafa (Remi) është i ftuari i parë i Gjykatës Speciale. Ai ka marrë ftesë nga kjo Gjykatë për të dëshmuar më 14 janar gjë të cilën e ka konfimuar edhe avokati i tij Arianit Koci. 

Për këtë ftesë avokati i njohur Tomë Gashi i cili më herët ka qenë avokati i komandant Remit për “Zërin”, ka thënë që kjo ftesë nuk është befasi  pasi që që sipas tij është njoftim për fillimin e punës efektive të Gjykatës Speciale, respektivisht Zyrës së Prokurorit Special.

Gashi ka thënë se ka qenë i ditur fakti që Gjykata Speciale do të funksionalizohet pasi që sipas tij mbi 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 e kanë votuar themelimin e kësaj gjykate. 

“Kjo ftesë është njoftim për fillimin e punës efektive të Gjykatës Speciale respektivisht Zyrës së Prokurorit Special e cila po ashtu selinë e ka në Hagë dhe nuk besoj që duhet të jetë ndonjë befasi apo ndonjë lajm i madh për shkak se tanimë kanë kaluar më tepër se tri vite prej formimit të Gjykatës Speciale respektivisht prej votimit në gusht të vitit të 2015 nga deputetë të Kuvendit të Kosovës për diçka që është aq e dëmshme por që mbi 80 deputetë të Kosovës e kanë votuar është ditur që nuk votojnë diçka që nuk funksionalizohet”, ka thënë Gashi për Zëri.info. 

Gashi ka thënë se Zyra e Prokurorit ka bërë mirë që ka bërë publike ftesën për ish-komandantin e UÇK-së, Rrustem Mustafa, kjo për faktin që sipas tij kjo Gjykatë ka filluar të punoj në çështje konkrete. 

“Zyra e Prokurorit ka bërë mirë që e ka bërë publike që z. Rrustem Mustafa –Remi do të intervistohet në janar të vitit të ardhshëm. Sigurisht ky është vetëm një lajm që Gjykata Special është duke filluar që të punojë në çështje konkrete dhe shpresojmë që z. Mustafa të mos mbetet atje por të kthehet pas dhënies së deklaratës së tij duke e ditur posaçërisht që Remi nuk ka qenë kundër Gjykatës Speciale dhe gjithmonë është deklaruar pro saj, që sipas tij do ta pastrojë luftës e pastër të UCK-së”, ka thënë më tutje Gashi. 

Ai po ashtu ka kujtuar se ka qenë avokat i ish-komandit Rrustem Mustafa në rastin për krime lufte, mirëpo Gashi thotë se beson që Mustafa nuk është ftuar të dëshmoj për këtë cështje. 

“Unë kam qenë avokat i z. Mustafa, në rastin për krime lufte dhe besoj se ai nuk është ftuar për atë çështje meqenëse ajo çështje është mbyllur dhe kemi pasur një aktgjykim të plotfuqishëm dhe kjo ka përfunduar në Gjykatat e Kosovës edhe pse e gjithë procedura është udhëhequr nga EULEX-i”, ka thënë Gashi.  

Gashi shpreson po ashtu që ish-komandandti Rrustem Mustafa të ketë mbojtje efektive gjatë dëshmisë së tij. 

“Shpresojë që z.Mustafa të ketë një mbrojtje efektive dhe duket të jetë një prej personave të parë që zyrtarisht është ftuar në Prokurori në Hagë. Është çështje e ditur që ka pasur shuam dëshmitar që janë intervistuar nga prokuroria dhe nga hetuesit e prokurorit special në Hagë. Për mua kjo nuk është fare befasi që sigurisht që është një lajm i parë i cili duket që është i qëllimshëm për të deklaruar që Prokuroria tashmë është zgjuar nga gjumi”, ka përfunduar ai. /ZERI