Haradinaj sqaron në detaje bisedën me sekretarin e NATO-s për ushtrinë

Aktuale December 06, 2018 - 16:01
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka konfirmuar që NATO nuk është kundër transformimit të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në ushtri mirëpo sipas tij NATO nuk është shprehur as pro këtij procesi. Ai këtë deklaratë e ka bërë në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ku edhe paraqiti konceptin e bisedës që ka pasur me sekretarin e NATO-së Jens Stoltenberg, raporton "Zëri.info".

“Ai nuk po thotë që jam për as që jam kundër dhe nuk po hyn në këto detaje”, ka thënë Haradinaj, kur është pyetur se a është NATO pro ushtrisë së Kosovës.

I pari i ekzekutivit ka deklaruar që Stoltenberg në këtë bisedë i ka konfirmuar që nëse ndryshohet mandati i FSK-së  në ushtri, atëherë do të shqyrtohen raportet NATO-FSK, dhe jo ato me Kosovën.

LEXO EDHE: Haradinaj i kundërpërgjigjet Vulinit tregon dallimin e Kosovës dhe Serbisë

“Stoltenberg ka konfirmuar që e përkrahin në Kosovë sigurinë dhe paqen. Ai më tha që nëse ju e ndryshoni mandatin e FSK-së në ushtri atëherë ne duhet t`i shqyrtojmë marrëdhëniet me FSK-në e jo me Kosovën. Pra misioni i NATO-së në Kosovë, stabiliteti, siguria nuk vihen në pikëpyetje nga NATO”, ka përcjellur porosinë e sekretarit të NATO-së, Haradinaj.

Çështjen e formimit të ushtrisë Haradinaj e ka quajtur punë të brendshme të Kosovës duke thënë që nuk kërkojnë unanimitet nga NATO për këtë gjë për shkak se Kosova nuk është as vend kandidatë.

“Kosova nuk ka asnjë marrëveshje me NATO-në. Ne ende nuk jemi kandidatë, nuk kemi ndonjë protokoll që e thejmë, vendimi për ushtrinë është sovran. Kosova ka të drejtë t`i sqarojë dikujt për këtë çështje por ne nuk presim një unanimitet të caktuar për të ndodh ushtria sepse është vendim”, ka thënë tutje ai.