Pas kundërshtimit të NATO-s për ushtrinë, Haradinaj tregon se çka i tha Stoltenbergut

Aktuale December 06, 2018 - 15:35
Lexo tjera detaje

Një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk është koha e përshtatshme për transformimin e FSK-së në ushtri, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka kontaktuar me të nëpërmjet telefonit, raporton "Zëri.info".

Me këtë rast, Haradinaj ka njoftuar se ka informuar Stoltenbergun se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile.

Por pavarësisht kundërshtimit nga NATO, Haradinaj ka theksuar se pakoja e projektligjve për ushtrinë do të votohet në lexim të dytë më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Në vijim mund ta gjeni të plotë njoftimin e Haradinajt:

Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg.

Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore./ZËRI