Nuk miratohet rezoluta për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Aktuale December 06, 2018 - 10:49
Lexo tjera detaje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të miratojnë rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë, e cila për shkak të dështimeve në procesin e liberalizimit të vizave dhe dështimeve tjera në arenën ndërkombëtare, parashihte edhe rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, raporton “Zëri.info”

Ndonëse në Kuvend ishin të pranishëm 70 deputetë, 42 prej tyre votuan, ku 40 vota ishin për, një kundër dhe një abstenim.

Para se kjo rezolutë të hidhej në votim, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se edhe pas takimit me shefat e partive tjera, ata nuk kishin arritur të harmonizoheshin për rezolutën.

Përndryshe, tri pikat e rezolutës ishin:

1. Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira.

2. Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

3. Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë.

Pasi dështoi miratimi i kësaj rezolute, votimi i saj u shty edhe për një ditë tjetër./ZËRI