Liberalizimi i vizave, Kosova me pritjet më të gjata

Aktuale December 06, 2018 - 08:10
Lexo tjera detaje
Image

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, gjatë vizitës së fundit që zhvilloi në Prishtinë, të hënën që lamë pas, ua ka bërë me dije kosovarëve se me shumë gjasë nuk do të mundin të lëvizin pa viza në Zonën Schengen deri në vitin 2020, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Derisa të fillojë lëvizja pa viza në BE, përkatësisht në fillim të vitit 2020, do të bëhen gati 20 muaj prejse Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën pas përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara për vizat.

KE-ja ka dhënë rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën më 18 korrik të këtij viti. Edhe Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit, ndërsa çështja ka ngecur te Këshilli i Ministrave të BE-së, i cili as që e ka futur në agjendë për takimin e kësaj te premte çështjen e liberalizimit të vizave për vendin.

LEXO EDHE: NATO-ja 'sulmon' ushtrinë

Por ekspertët e integrimeve evropiane kanë vlerësuar për gazetën “Zëri” se Gjeorgjia dhe Ukraina, dy vendet e fundit që e kanë fituar liberalizimin e vizave në BE, kanë qenë më “të shpejta” se Kosova.

Sipas tyre, Komisioni Evropian kishte propozuar që t’ia heqë vizat Gjeorgjisë më 9 mars të vitit 2016, përderisa lëvizja e lirë e qytetarëve të këtij shteti në Zonën Schengen ka ndodhur më 28 mars 2017, përkatësisht pas një viti. Për Ukrainën KE-ja kishte propozuar heqjen e vizave më 20 prill 2016, përderisa lëvizja pa viza ka hyrë në fuqi pas 15 muajve, përkatësisht më 11 qershor 2017.

Shqipëria kishte ecur shumë më shpejt në këtë drejtim, pasi rekomandimi nga Komisioni Evropian ishte dhënë më 27 maj 2010, ndërsa më 9 nëntor 2010 ishte marrë vendimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së për heqjen e vizave.

BE: Procesi i vendimmarrjes për heqjen e vizave mund të marrë kohë

Në anën tjetër zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë se procesi i vendimmarrjes për heqjen e vizave për Kosovën është proces, i cili kërkon kohë dhe punë. “Komisioni Evropian më 18 korrik ka vlerësuar se të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave të Kosovës janë përmbushur, prandaj Komisioni ua rekomandoi shteteve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian që liberalizimi i vizave të jepet. U takon shteteve anëtare të përfaqësuara në Këshill, së bashku me Parlamentin Evropian që ta marrin vendimin përfundimtar. Procesi i vendimmarrjes është në vazhdim dhe mund të marrë kohë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje aty theksohet se Kosova duhet të vazhdojë me reformat në sundimin e ligjit në mënyrë që të marrë përgjigje pozitive nga vendimi përfundimtar i shteteve anëtare të BE-së.

Ujkani: 5 vendet mosnjohëse të Kosovës janë pengesë për liberalizim

Profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani, për “Zërin” ka thënë se pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën paraqesin problem të madh për heqjen e vizave për Kosovën. “Duhet të kihet parasysh që në rastin e Kosovës situata ndryshon me të gjitha vendet e tjera, sepse e dimë që ende janë pesë vende të BE-së të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, prandaj e kemi edhe situatën më të ndjeshme se vendet e tjera. Problemi kryesor qëndron te këto vende që nuk e kanë njohur shtetësinë tonë më shumë sesa ato të tjerat që kanë hezitime ndaj heqjes së vizave për Kosovën”, ka thënë Ujkani, duke shtuar se “Kosova ka pasur kërkesa shtesë nga BE-ja për heqjen e vizave”.
Ujkani vlerëson se situata e krijuar me vizat e Kosovës vjen edhe si pasojë e problemeve të brendshme të shteteve anëtare të BE-së. “Kemi të bëjmë me një organizatë, e cila është e përbërë prej 28 shteteve anëtare dhe rrjedhimisht kuptohet që nuk është vetëm zëri i një vendi i cili duhet të kihet parasysh, por po flasim për 2/3 e vendeve anëtare që duhet të vendosin për këtë çështje. Po ashtu jemi në një kohë kur BE-ja nuk është shumë e përgatitur për këtë sepse ka krizat e saj të brendshme”, ka theksuar ai.

Kryeziu: Nuk ka afat kohor për heqjen e vizave për Kosovën

Kurse Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka thënë që momentalisht nuk ka ndonjë afat kohor për heqjen e vizave të Kosovës. Sipas tij, duhet të pritet viti 2019 që të shihen rrethanat e reja, të cilat do të krijohen në BE. “Kosova ka një rekomandim të Komisionit Evropian për dy trupat legjislativë, Parlamentin dhe Këshillin. Tash dosja jonë është në diskutim ndërinstitucional dhe ky diskutim prodhon një marrëveshje joformale. Kjo marrëveshje që të formalizohet duhet votim në Parlament dhe në fund duhet votimi në Këshill të BE-së, por kjo nuk ndodh pa pasur vullnet politik prej vendeve anëtare të BE-së. Momentalisht nuk ka vullnet nga ana e shteteve anëtare që ta shtyjnë këtë çështje përpara”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, ndërrimi i presidencës në BE sjell një situatë të re brenda BE-së. “Tani duhet ta shohim se çka po na sjell viti 2019. Vjen presidenca rumune, janë zgjedhjet. U përmend nga komisionari Han viti 2020, por tha që mundet edhe më herët, prandaj aspekti kohor varet nga vullneti politik i vendeve anëtare, duke u  bazuar në fakte gjithmonë, prandaj ne në këtë fazë nuk mundemi të japim asnjë afat pa e parë se çka po prodhon presidenca rumune, a e ka këtë çështje prioritet ose jo, sepse nëse nuk e ka duhet ta presim vitin 2020”, ka thënë tutje ai.

Ai vlerëson se nëse do të kishte vullnet brenda shteteve anëtare të BE-së, atëherë vendimmarrja do të kryhej edhe sivjet, mirëpo problemet në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë vetëm sa kanë rritur hezitimin e vendeve të BE-së, shto këtu edhe problemet e veta që kanë vendet anëtare të BE-së me rritjen e forcave populiste, të cilat kanë bërë që kjo çështje të shtyhet edhe më tutje”, ka thënë ai.

Kryeziu ka bërë të ditur që për shtetin e Gjeorgjisë Komisioni Evropian ka propozuar rekomandimin më 9 mars 2016, ndërsa lëvizja e lirë ka hyrë në fuqi më 28 mars 2017, kurse për Ukrainën Komisioni Evropian ka propozuar rekomandimin më 20 prill 2016, ndërsa lëvizja e lirë ka hyrë në fuqi më 11 qershor 2017

Lushaku: As viti 2020 nuk është i sigurt për heqjen e vizave

Në anën tjetër Jehona Lushaku për “Zërin” ka thënë se as viti 2020 nuk është i sigurt për heqjen e vizave të Kosovës, sepse një gjë e tillë varet nga rrethanat e reja që do të krijohen brenda BE-së. “Pamundësia e BE-së që të flasë me një zë dhe t’i mbajë premtimet që vetë i ka dhënë është jashtëzakonisht e dëmshme për besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës ndaj BE-së. Problemi kryesor është që nuk ka asnjë siguri as për vitin 2020, sepse ka shumë pikëpyetje pasi nuk e dimë cilat parti politike do të vijnë në pushtet në BE, kush janë politikanët udhëheqës, çfarë platforme kanë, çka kanë prioritet shtetet anëtare etj. Pra janë shumë pikëpyetje të cilat janë vendimmarrëse për këtë proces”, ka thënë Lushaku.

Ajo mes tjerash ka theksuar se kriteret e vëna ndaj Kosovës kanë qenë të ndryshme nga kriteret për shtetet e tjera. “Kosova i ka pasur dy e më shumë kritere sa i përket liberalizimit dhe kjo është për shkak se Kosova ka pasur nevojë për ato kushte, si p.sh. të luftojmë korrupsionin me qëllim që të jemi teknikisht të gatshëm ta menaxhojmë liberalizimin. Por ajo që ka ndodhur padrejtësisht është që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila është vënë si kriter që nuk e kanë pasur shumica e shteteve tjera të cilat kanë qenë në proces për heqje të vizave. Madje Ukraina i ka kufijtë e hapur dhe ka kontekste territoriale me Rusinë, pra është krejtësisht e pakrahasueshme me Kosovën”, ka thënë ajo. /ZËRI