PAN-i, pengesë për funksionalizimin e KQZ-së

Aktuale December 06, 2018 - 08:05
Lexo tjera detaje
Image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është jofunksional që nga marsi pasi anëtarëve të vjetër u ka përfunduar mandati, ndërkohë që presidenti Hashim Thaçi nuk i ka emëruar anëtarët e rinj. Thaçi ka kërkuar interpretim të Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se si duhet të jetë përfaqësimi i grupeve parlamentare në KQZ, por Kushtetuesja e ka vlerësuar të papranueshme kërkesën e Thaçit, duke vlerësuar se kjo çështje nuk është nën juridiksionin e Gjykatës. Dilemat e Thaçit kanë qenë nëse 6 anëtarët e rinj të KQZ-së (nga partitë shqiptare) duhet të propozohen nga tri grupet parlamentare që kanë dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 e që janë PAN-i (PDK-AAK-Nisma), LDK-ja dhe LVV-ja, ose duhet të propozohen edhe grupet tjera parlamentare që janë formuar pas zgjedhjeve. Por pas refuzimit të Kushtetueses vlerësohet se presidenti duhet të emërojë për anëtarë të KQZ-së dy përfaqësues nga tri grupet parlamentare: PAN, LDK dhe LVV, shkruan sot Gazeta "Zëri".

 

Megjithatë, përfaqësues të koalicionit PAN thonë se ende nuk kanë vendosur se cilët do të jenë dy përfaqësuesit e tyre. Ndërkohë që analistët vlerësojnë se ky koalicion do të ketë telashe të vendosë, pasi janë shumë parti brenda dhe kjo sipas tyre mund të vonojë edhe funksionalizimin e KQZ-së. Se si do të bëhen këto emërime gazeta “Zëri” ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidentit, por nuk ka marrë përgjigje.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë për gazetën “Zëri” se shumë shpejt koalicioni PAN do të dalë me emrat e anëtarëve, kështu duke mos përmendur ndonjë emër të mundshëm. “Kjo çështje shumë shpejt do të kompletohet dhe do t’i shihni anëtarët, shumë shpejt do të shkojnë propozimet prej koalicionit PAN në harmonizim me Kushtetutën”, ka thënë Beqa.

Edhe pse ende nuk kanë rënë dakord brenda koalicionit se a do t’i takojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ndonjë përfaqësues në KQZ, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për “Zërin” se partia e tij e ka emrin e kandidatit dhe se është e gatshme ta dërgojë atë në KQZ kurdo që i kërkohet.

LEXO EDHE: 70 milionë euro për pensione të veteranëve për 11 muaj

Isufi pohoi se bisedimet mes partnerëve të koalicionit do të vazhdojnë derisa të vendoset se kush të nominohet. “Do të ketë një komunikim të subjekteve politike në mënyrë që ta zgjidhim këtë problem. Ende nuk është vendosur, pritet në ditët në vijim të vendoset”, ka thënë Isufi.

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje Adnan Rrustemi e ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçin se ka vepruar politikisht në këtë çështje, duke zvarritur procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së për shkak që të mos i mundësojë opozitës të përfaqësohet me nga dy anëtarë. “Presidenti thjesht ka vepruar deri më tani politikisht, natyrisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Ligjin për Zgjedhjet, duke zvarritur procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së pikërisht me synimin për ta mbajtur KQZ-në jofunksionale, por edhe si të themi për ta pamundësuar opozitën që të përfaqësohet në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 2017-s”, ka thënë Rrustemi për “Zërin”.

Edhe Sami Hamiti, ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë për “Zërin” se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese presidenti Thaçi nuk e ka më asnjë arsye për ta vonuar këtë proces dhe se duhet sa më parë ta bëjë funksionale KQZ-në. “Presidenti duhet të veprojë sipas vendimit kushtetues, duhet që sa më shpejt ta funksionalizojë KQZ-në, sepse se ka më asnjë arsye për zvarritje”, ka thënë Sami Hamiti.

Kurse analisti politik Rasim Alija ka thënë se brenda koalicionit PAN mund të ketë përplasje për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së. “Emërimet për anëtarë të KQZ-së bëhen sipas rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve dhe meqë koalicioni PAN ka garuar me shumë parti, janë evidente përplasjet e mundshme për emërime për anëtarë të KQZ-së”, ka deklaruar Alija.

Ai pohoi se ka mjaftueshëm argumente që një çështje e tillë nuk është dashur fare të dërgohet në Kushtetuese dhe të bëhen këto vonesa./ZËRI