Pacolli merr mbështetje të fuqishme nga Gambia për Kosovën

Aktuale December 05, 2018 - 19:04
Lexo tjera detaje

Shteti i Gambisë vazhdon të mbetet një aleat i palëkundur diplomatik i Kosovës në Afrikë dhe më gjerë.

Në shkurt të këtij viti, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, kishte paralajmëruar se Gambia kishte tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, raporton lajmi.net.

Mirëpo, kjo gjë u mohua nga autoritetet kosovare duke e quajtur si propagandë të Serbisë kundër Kosovës.

Se Gambia nuk e kë tërhequr njohjen e Kosovës, e ka konfirmuar edhe sot ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, shkruan lajmi.net.

Pacolli përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është takuar me presidentin e Gambisë, Adama Barrow, i cili i ka dhënë mbështetje të fortë për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit në bashkësinë ndërkombëtare.

Postimi i plotë i Pacollit pa ndërhyrje:

Në Gambia, vizitën bilaterale e fillova me takimin me presidentin e këtij shteti Adama Barrow i cili dha një mbështetje të fortë për Kosovën dhe integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare.

Ai më siguroi se Gambia do të mbetet një aleat i palekundur diplomatik i Kosovës në Afrikë dhe më gjerë.

E kam ftuar atë të vizitojë Kosovën dhe do të shqyrtojmë disa fusha të mundshme të bashkëpunimit. 

Image