Zyrtarët serbë që i marrin nga dy paga, njërën prej Kosovës dhe tjetrën prej Serbisë (Dokument)

Aktuale December 05, 2018 - 17:29
Lexo Detajet

Shumë serbë të Kosovës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999, ishin tubuar në veri të lumit “Ibër” në Mitrovicë, për të parandaluar kalimin e lumit prej shqiptarëve nga ana jugore. Fillimisht ata ishin tubuar vetëm spontanisht rreth urës, pa udhëheqje ose strukturë. Por, gradualisht, ishin bërë shumë më të organizuar. “Rojat e Urës”, siç u bë i njohur ky grup, e konsideronte veten strukturë të sigurisë me tri funksione kryesore: Parandalimin e hyrjes së shqiptarëve të Kosovës në Mitrovicën Veriore; Grumbullimin e informatave rreth KFOR-it dhe Policisë Civile (CIVPOL); Grumbullimin e informatave për çdo shqiptar të Kosovës që jetonte në veri.

Kah fundi i vitit 1999, “Rojat e Urës” ishin bërë një organizatë e strukturuar, që edhe aktivitetet e tyre i koordinonin me ndihmën e radiove dhe formave të tjera të telekomunikimit, transmeton Ballkani.info.

Këto aktivitete ishin shndërruar në punë të rregullt të “Rojave të Urës”, duke përfshirë këtu edhe marrjen e pagave dhe ndërrimet e caktuara.

Ky grup, fillimisht pagat i siguronte duke mbledhur donacione vullnetare të banorëve të Mitrovicës veriore, si dhe nga spitali i Mitrovicës së veriut, i financuar nga Ministria Serbe e Shëndetësisë.

Por, duke jetuar në një pjesë ku “ligjin” e bënin vetë, me kalimin e kohës shumë prej “Rojave të Urës” ishin përfshirë thellë në aktivitete kriminale, duke përjetuar përleshje të brendshme serioze, ku si pasojë kishin filluar të humbnin në masë të madhe edhe përkrahjen nga vetë popullsia serbe që jetonte atje.

Më pas, ndonëse ishin krijuar disa grupe mafioze brenda tyre që merreshin vetëm me kontrabandë e biznes, deri vonë kishte ekzistuar edhe një bërthamë aktive me një numër të papërcaktuar të “Rojave të Urës”, si dhe një grup më i madh i vlerësuar që mund të thirrej sa herë që paraqitej nevoja.

Disa prej grupeve kryesore kriminale serbe ishin „Car Lazari“, „SNP 1389“, „Nacionalni Stroj“, „Ultra Boys“, „Brdjani“, pastaj grupi kriminal “Zveçanci” nga Zveçani dhe “Mitrovçanci” nga Mitrovica Veriore.

Grupi “Zveçanci” vepronte në tri grupime më të vogla, siç janë: “Canzve Force”, “Elit Delije Sever” dhe “Extrem Boys”.

Po ashtu, në veriun e Mitrovicës vepronte edhe një organizatë tjetër kriminale e quajtur „Obraz“, që udhëhiqej nga Igor (Blagota) Vojinoviç.

Por, përveç mbetjeve të “Rojave të Urës”, atje ekzistonte edhe një prani e vazhdueshme e oficerëve të MPB-së në veri, përfshirë edhe ish-oficerë të policisë në Mitrovicë para luftës, që i organizonin të ashtuquajturit pjesëtarë të “Rojave të Urës”, por edhe ata që ishin dërguar nga Serbia për të grumbulluar informata specifike.

Sipas informacioneve që posedon Ballkani.info, emrat e eprorëve të lartë të MUP-it serbë, që veprojnë në veriun e Kosovës, janë Gjorgje Dragoviç, Ninoslav Mijanoviç, Ivan Aksentijeviç, Sinisha Miliç, Zhivojin Djuriç dhe Banoviç Sreçko. Por, në veriun e vendit, me seli në Mitrovicën Veriore, vepronte edhe Mbrojtja Territoriale Serbe, e përbërë nga Radisav Janjiqeviç, Bratisllav Stoisavljeviç, Vladan Radovanoviç, Dobrivoje Miliçeviç, Stevan Bozhoviç dhe Rale Bogdanoviç.

Megjithatë, udhëheqja politike e serbëve të Kosovës, përkundër mospajtimeve të grupeve radikale dhe politike, kishte filluar ta përkrahte trajnimin dhe dislokimin e oficerëve serbë të Kosovës në Shërbimin Policor të Kosovës, me kusht që ata të jenë të dislokuar vetëm në zonat e banuara me serbë të Kosovës dhe se asnjë oficer shqiptar i Kosovës të mos dislokohet në zonat e banuara me serbë të Kosovës.

Komisioneri i Policisë dhe PSSP-ja në vitet e pasluftës ishin angazhuar në rekrutimin e pikësynuar të ish-oficerëve të MPB-së. Rekrutimi i këtyre oficerëve kishte qenë shumë efikas dhe tashmë prania e policëve serbë të Kosovës, si pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës ishte bërë e pranueshme. Stacionet policore në Kosovën Veriore ishin të gjitha nën komandën e pjesëtarëve serbë dhe prania e oficerëve serbë si pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës tashmë dukej krejt normale.

Megjithëse “Rojat e Urës” kishin vazhduar të jenë të pranishëm edhe pak, pas futjes nën zinxhirin komandues të Shërbimit Policor të Kosovës, prania e tyre ishte e profilit shumë të ulët.

Asokohe të gjitha stacionet e policisë në rajonin e Mitrovicës kishin kaluar tranzicionin nga komanda e Policisë së UNMIK-ut në atë të SHPK-së, me përjashtim të shtabit rajonal të policisë (SHRP), i cili kishte mbetur i vetmi në Kosovë nën komandën e Policisë së UNMIK-ut.

Por, realiteti në Mitrovicën Veriore ishte gjithnjë në favor të politikës së Serbisë.

Përkundër që shumë serbë të strukturave paralele ishin bërë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, në masë të madhe ata paguheshin edhe nga Serbia.

Ballkani.info ka siguruar emrat e zyrtarëve të organeve paralele serbe që vazhdojnë t’i marrin nga dy paga, njërën nga Serbia dhe tjetrën nga Kosova.

Emrat e zyrtarëve të strukturave paralele të Serbisë, të cilët kanë marrë paga nga Serbia dhe nga Kosova.

Shumica e këtyre nuk janë shkëputur nga e kaluara e tyre kriminale dhe vazhdojnë të kontrollojnë kontrabandën në veriun e Kosovës.

Image
Image
Image