Aprovohet Projektligji për mësimdhënësit e viteve të '90-ta

Aktuale December 05, 2018 - 14:55
Lexo Detajet

Komisioni për Buxhet dhe Financa ia ka dhënë “bekimin” Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990.

Me këtë rast, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se e kanë futur këtë projektligj në buxhetin e vitit 2019, por se shtoi se ky projektligj e ngarkon buxhetin e Kosovës.

“Kur jemi të çështjet sociale duhet të bëjmë më shumë kujdes sepse kështu po e dëmtojmë buxhetin tonë. Duhet me pas kujdes sa mundemi t’i financojmë çështjet e tilla, megjithatë drafti i ri i cili nuk është i njëjtë si ai që ka kaluar në lexim të parë është komplet tjetër dhe Komisioni i Arsimit ka bërë mirë që i ka ndarë në 9 kategori dhe jo vetëm në 2 siç ishte në fillim”, tha Hamza.

Megjithatë, ai shtoi se ka frikë që pas mësimdhënësve do të kërkojnë edhe kategoritë e tjera kompensim të njëjtë.

Kurse, kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se nuk e mbështet këtë projektligj pasi, sipas tij, nuk ka të bëjë me varfërinë në përgjithësi po me individë të caktuar.

“Nuk e mbështes këtë për politika sociale sepse nuk e kanë target varfërinë por individët për çështje tjera. Nuk e mbështes sepse kjo është çështje parimore e imja, sepse edhe prindërit e mi kanë qenë por se mbështes. Ky është veç fillimi dhe siç tha ministri nga të gjitha sindikatat e tjera do të ketë kërkesa të tilla, por mendoj se Kosovës i duhet një riorganizim i skemave sociale”. Tha Abdixhiku.

Anëtarja e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Arsim, Arbërie Nagavci, tha se ky pension u takon mësimdhënësve që t'u shpaguhet mundi.

“Pavarësisht presionit ky është premtim elektoral që e ka bërë kryeministri dhe sindikatat e kanë kërkuar atë që i është premtuar, por drafti i ri është më i mirë se drafti që ka kaluar në lexim të parë”, tha Nagavci, raporton Kallxo.com.

Ndryshe, ky Projektligj për Mësimdhënësit është njëri ndër ligjet më të përfolura të këtij viti.

Ky madje kishte sjellë edhe reagime nga ana e ndërkombëtarëve. BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar patën deklaruar se ky ligj ka implikime buxhetore.

Në fillim përfituesit ishin ndarë në dy kategori: 5 dhe 10 vjet, por pas miratimit të leximit të parë në Kuvend, Komisioni për Arsim kishte vendosur që ta ndajë në 9 kategori.