S’ka viza, s’ka as dorëheqje!

Aktuale December 05, 2018 - 07:51
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Qeveritarët kosovarë nuk e kanë në plan të marrin përgjegjësi për dështimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti, ashtu siç kishin premtuar vazhdimisht. Kërkesat e opozitës për dorëheqje s’po përfillen, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë po e fajësojnë Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për Kosovën deri në vitin 2020, ndonëse premtimet ishin se qytetarët do të mundin të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen pas miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Demarkacioni u miratua në mars të këtij viti, përderisa në vizitën e tij të fundit në Kosovë komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, deklaroi se koha reale për liberalizimin e vizave është viti 2020.

Në anën tjetër drejtuesit e partive opozitare po kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve shtetërorë, të cilët kishin premtuar heqjen e vizave gjatë këtij viti. 

Por kryeministri Ramush Haradinaj, i cili liberalizimin e vizave e kishte premtuar qysh nga viti i kaluar, ka deklaruar dje se është në mospërputhje ideja që Qeveria e Kosovës të dorëhiqet për shkak të vonesave nga Bashkimi Evropian në raport me vizat.

“Dështimi nuk është definicioni që e kualifikon gjendjen. Është e papërmbyllur. Pjesa e Kosovës është përmbushur, pra pjesa e një pale. Puna jonë është kryer. Ka mbetur edhe një pjesë e punës nga BE-ja. Nëse opozita mendon se Qeveria duhet të shkojë për vonesë të BE-së, mund të shkojmë, por duket si mospërputhje”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë.
 

Fajon: Gjermania dhe Franca po e bllokojnë procesin e liberalizimit

Në anën tjetër raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizmin e Vizave, Tanja Fajon, ka thënë se Kosova i ka përmbushur kushtet dhe se qytetarët e meritojnë liberalizmin e vizave, mirëpo Gjermania dhe Franca po e bllokojnë këtë proces.

“Unë jam e hidhëruar dhe e zhgënjyer, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet. Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse ata e kanë bërë punën e tyre. Ne si institucione të BE-së kemi bërë shumë presion te kosovarët që ata t’i përmbushin kërkesat, ato janë përmbushur dhe Komisioni e ka pranuar këtë. Sa u përket institucioneve të BE-së Kosova e ka dritën e gjelbër. Tash kjo është në dorën e qeverive të BE-së”, ka thënë Fajon.

Këto komente Fajon i bëri të martën në një panel të konferencës “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ku mes tjerash e specifikoi Gjermaninë dhe Francën si dy vende kyçe ku procesi i liberalizimit është bllokuar.

Ajo po ashtu ka thënë se presidenca austriake nuk do ta ketë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave përderisa këtë nuk pritet ta bëjë as presidenca rumune.

“Do të thotë jemi duke humbur shumë kohë. Unë do ta ngre këtë çështje në Komisionin Evropian dhe te qeveritë e vendeve anëtare. Ata nuk kanë mundur ta realizojnë premtimin dhe do të bëjmë presion të vazhdueshëm”, ka thënë Fajon.

Hoxha: BE-ja, e paaftë t’i mbajë premtimet për vizat

Kurse ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë për “Zërin” se çështja e vizave të Kosovës nuk ka asnjë arsye legjitime që të mos jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave, prandaj BE-ja po i bën padrejtësi Kosovës.

“Nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë përpos që BE-ja dhe institucionet e saj nuk po i respektojnë rregullat e procedurat e veta. Nuk ka interesim nga BE-ja dhe nga vendet anëtare që t’i mbajnë premtimet e veta dhe kjo situatë po ndëshkon qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, situata e krijuar me vizat është si pasojë e paaftësisë së BE-së për t’i mbajtur premtimet e veta.

“Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës ka mbaruar në momentin që Komisioni Evropian ka konfirmuar plotësimin e të gjitha kritereve nga Udhërrëfyesi. Kosova nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i plotësojë 95 kriteret që i janë kërkuar. Vendimmarrja u takon institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare. Në këtë fazë e gjithë përgjegjësia bie mbi BE-në dhe mbi paaftësinë e tyre që ta mbajnë premtimin dhe t’i respektojnë rregullat, të cilat i kanë vënë vetë ata”, ka thënë ajo.

Hoxha ka theksuar se në fazën të cilën ndodhemi ku institucionet përkatëse të BE-së nuk na kanë njoftuar asgjë zyrtarisht është e vështirë të prognozohet se çfarë do të ndodhë me vizat e Kosovës.

PDK: Premtimet e liderëve për vizat janë koordinuar nga BE-ja

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, nga radhët e PDK-së, për “Zërin” ka vlerësuar se shtyrja e vendimit për heqjen e vizave është padrejtësi e madhe ndaj Kosovës.

“Pas vlerësimit pozitiv në Parlamentin Evropian për heqjen e vizave është një e padrejtë shumë e madhe kjo që po i bëhet vendit tonë. Po shpresojmë që institucioni i Këshillit të Ministrave të mos bëjë vonesa kaq të mëdha, që u përmendën nga komisionari Johannes Hahn. Nuk ka pasur diçka më të madhe që do të kishte mundur ta dekurajojë shoqërinë kosovare më shumë sesa një vonesë e tillë”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me atë se a duhet të japin përgjegjësi liderët shtetërorë për premtimet e vazhdueshme për liberalizim, Pajaziti ka thënë që këto deklarata kanë ardhur si pasojë e asaj që zyrtarët e BE-së kanë thënë.

“Kemi pasur sugjerimet e partnerëve tanë që të mos përmendim data. Liderët kanë shprehur më shumë sesa dëshirën e tyre për këtë proces, prandaj në njëfarë mënyrë liderët i kanë shprehur pritjet e qytetarëve dhe shpeshherë edhe deklaratat e zyrtarëve të BE-së, pra kemi të bëjmë me diçka që ka qenë e koordinuar”, ka thënë ai.

Ndërkohë Pajaziti vlerëson se Kosova duhet ta vazhdojë punën e saj drejt integrimit në BE, duke punuar vazhdimisht në krijimin e reformave dhe qeverisjen e mirë në përputhje me sugjerimet e BE-së dhe me nevojat e qytetarëve të Kosovës.

LDK: Liderët që premtuan heqjen e vizave duhet të japin dorëheqje

Në anën tjetër ndryshe vlerëson deputetja nga opozita, Besa Gaxherri, e cila për “Zërin” ka thënë që premtimet e liderëve shtetërorë për heqjen e vizave duhet të kenë një kosto.

Sipas saj, të gjithë ata që premtuan se liberalizimi do të ndodhë këtë vit duhet të japin dorëheqje.

“Liderët shtetërorë të Kosovës nëse u ka mbetur vetëm një fije etikë në politikë duhet të japin dorëheqje. Jo vetëm që kanë premtuar dhe kanë gënjyer se do të bëhet liberalizimi, por për shumë arsye ata janë jofunksionalë dhe kanë dështuar në çdo pikë dhe premtim. Për këtë arsye duhet që sa më parë të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Gaxherri ndër të tjera ka vlerësuar se shtyrja e vendimit për heqjen e vizave për Kosovën është një padrejtësi shumë e madhe edhe nga ana e Bashkimit Evropian.

“Natyrisht që është një padrejtësi shumë e madhe. Janë dy standarde që po punohen karshi Kosovës, por është edhe një papërgjegjësi totale karshi institucioneve të Kosovës”, ka thënë tutje ajo.

Ndërsa deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj për “Zërin” ka thënë që vendimi për shtyrjen e heqjes së vizave është i pakuptimtë.

“Jemi të befasuar sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar nga BE-ja dhe për neve është e pakuptimtë ky qëndrim i BE-së rreth vizave. Përsëri dua të besoj që Bashkësia Evropiane do të reflektojë dhe qytetarët e Kosovës do ta fitojnë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai.

Murati: Duhet të kërkohet llogari për dështimin me vizat

Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë për “Zërin” se lajmi që komisionari Hahn dha në raport me vizat e Kosovës ka qenë i ditur tashmë shumë kohë, sepse institucionet e Kosovës janë vonuar në plotësimin e kushteve të dhëna nga BE-ja.

“Hahn përcolli një lajm, i cili pak a shumë ka qenë i ditur tash e dy muaj, sepse agjenda e Këshillit të Ministrave caktohet më herët dhe se do të kishim pranuar indikacione se jemi pjesë e agjendës po të ndodhte një gjë e tillë. Afati për 2020-n është real dhe i logjikshëm, pasi ka përfunduar mandati i institucioneve aktuale të BE-së, pra e Parlamentit dhe e Komisionit, nuk do të ketë vendimmarrje”, ka thënë Murati.

Murati ka theksuar se zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Parlamentin Evropian mund ta rrezikojnë heqjen e vizave për Kosovën.

“Në pranverë mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe më pas BE-ja hyn në periudhën e konstituimit institucional pas zgjedhjeve. Pas konstituimit të legjislaturës së re të Parlamentit dhe të formohet Komisioni mund të ketë vendimmarrje. Rreziku pas zgjedhjeve qëndron se kush do të fitojë shumicën në Parlament. Deri më tani Parlamenti ka qenë promotor i idesë për liberalizim të vizave për kosovarët, por një gjë e tillë nuk është më e garantuar nëse forca politike me qasje euroskeptike ose nacionaliste merr pushtetin”, ka thënë tutje ai.

Ndërkohë duke folur për përgjegjësit e situatës së krijuar me vizat, Murati ka vlerësuar se nuk ka një emër të përveçëm për këtë gjë.

  “Problemi nuk ka një emërues të përveçëm. Institucionet e Kosovës janë vonuar shumë për t’i plotësuar kriteret për liberalizim. Në anën tjetër BE-ja nuk është duke pasur ide as strategji si të procedojë me Ballkanin, e sidomos jo me Kosovën. Një qasje jokoherente po shkakton kokëdhimbje në Bruksel e në Prishtinë. Kosova ka përmbushur më shumë kritere për liberalizim sesa shumica e shteteve tjera të Ballkanit dhe prapë nuk ka qenë e mjaftueshme”, ka thënë ai.

Tutje Murati ka thënë që duhet kërkuar llogari nga krerët institucionalë në raport me vizat.

“Sigurisht që duhet kërkuar llogari për këtë dështim. Në Kosovë bëhet fushatë me liberalizim që nga viti 2008. Kjo përveçse është e turpshme, është edhe e dhimbshme se si trajtohen qytetarët e vendin nga politikanët që i kanë votuar vetë, por edhe nga ata në BE. Obligimet që dalin nga agjenda evropiane duhet të merren seriozisht, pikë së pari për hir të përmirësimit të jetës së qytetarëve të vendit e pastaj për përmbushjen e detyrimeve karshi BE-së. Duhet qasje serioze, diçka që ka munguar deri më tani”, ka thënë tutje ai.