Opozita kërkon që seanca e jashtëzakonshme të mbahet në orën 16:00

Aktuale December 04, 2018 - 11:49
Lexo Detajet

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës, të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

“Dy grupet parlamentare nga radhët e opozitës konsiderojnë se këto dështime kanë krijuar mungesë të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit dhe kanë lëkundur besimin e partnerëve tanë ndërkombëtar në Republikën e Kosovës.

Siç thuhet në njoftim, kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë. Tensionet e krijuara gjatë gjithë këtij mandati qeverisës e kanë pamundësuar debatin substancial në shoqërinë e Kosovës për arsim e shëndetësi më të mirë, për shërbime publike më efikase, për punësim dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftimin për media.

Seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje është kërkuar të mbahet sot, më 04.12.2018 në ora 16:00.