Hahn i kishte dhënë ultimatum Vuçiqit, ai kishte refuzuar

Aktuale December 04, 2018 - 09:20
Lexo Detajet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në takimin dyorësh me komisionerin Johannes Hahn, që e pati të hënën në Beograd, refuzoi ultimatumin për palën serbe se duhet të bëjë diçka që Prishtina të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Kështu shkruan gazeta beogradase Blic në numrin e sotëm, transmeton Klan Kosova.

“Vuçiq në mënyrë të vendosur ka deklaruar se nuk ka kthim në bisedime derisa vendimi për taksat për mallrat nga Serbia të tërhiqet. Ai tha: “Vetëm atëherë ne mund të flasim”, raporton gazeta.

Po ashtu thuhet se në takim kreu i shtetit serb ia ka treguar marrëveshjen e Brukselit Hahnit dhe e ka pyetur atë se çfarë saktësisht Serbia në këtë dokument nuk ka përmbushur kur bëhet fjalë për energjinë dhe kur është fjala për të gjitha fushat e tjera, i ka thënë Blicit një burim që kishte detaje të takimit.

Në shkrim theksohet se Hahn në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se taksat janë të papranueshme dhe se “Prishtina do të vuajë pasoja të rënda për shkak të tyre”, transmeton Klan Kosova.

Komisioneri tha se ishte shumë i zemëruar që autoritetet kosovare që nuk e respektojnë marrëveshjen dhe se që po bëjnë gjithçka krye në vete, transmeton Klan Kosova.

Hahn ka kërkuar dje nga pala kosovare heqjen e taksës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.

Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, ka konfirmuar, gjithashtu, në Prishtinë se çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët, nuk do të ndodhë këtë vit por ka përmendur vitin 2020 si datë potenciale të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.