Diplomacia në “rikuerc”

Aktuale December 04, 2018 - 08:11
Lexo Detajet
Image

Diplomacia kosovare po dështon të sjellë njohje të reja, madje është duke lëvizur prapa pasi gjatë këtij viti është raportuar disa herë për tërheqjen e njohjes nga shtete të caktuara, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ka kaluar kohë e gjatë qëkur Kosova ka marrë njohje nga shtetet e mëdha. Njohja e vetme që pati Kosova këtë vit kishte ardhur në shkurt, nga Ishulli i vogël i Barbadosit.

Në anën tjetër, gjatë këtij viti disa herë është raportuar për tërheqje të njohjes nga shtete të ndryshme, të fundit janë Ishujt Solomon, që para dy ditësh njoftuan për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Për këtë e për tërheqje të njohjeve tjera diplomacia kosovare e akuzon Serbinë se po bën propagandë agresive kundër shtetësisë së Kosovës.

Në një përgjigje për gazetën “Zëri” dhënë ditë më parë zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniçi, ka thënë se po kundërshtojnë dhe po punojnë kundër përpjekjeve të Serbisë për t’i revokuar njohjet e Kosovës. “Ne kemi kundërshtuar me sukses përpjekjet serbe për të revokuar njohjen e Kosovës në muajt e fundit dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë të kundërpërgjigjemi ndaj përpjekjeve serbe që kanë synim për të dëmtuar qëndrimin e Kosovës ndërkombëtarisht”, ka thënë Vuniçi.

Më tutje ajo ka shtuar se Serbia nuk mund t’i ndalojë njohjet për Kosovën pavarësisht lobimeve të saj dhe se MPJ-ja po punon vazhdimisht për të shpejtuar procesin e njohjeve.

“Njohja e Kosovës është një proces i pandalshëm. Gjeografia është globale. Vendet kanë të drejtën sovrane për të marrë vendime dhe ne jemi duke punuar me disa vende për të shpejtuar procesin. Ne jemi duke punuar me vendet që kanë për disa arsye hezitim për të njohur Kosovën, ndaj sfidat janë më të mëdha”, ka thënë Rejhane Vuniçi.

Hyseni: Numri i vogël i njohjeve, dështim i diplomacisë kosovare

Ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka akuzuar MPJ-në se ka dështuar të arrijë njohje të reja për Kosovën. “Patjetër arsye e ngecjeve të njohjeve është dështimi i diplomacisë së Kosovës në të gjitha rrafshet dhe këto dështime u përshkruhen të gjithëve pa përjashtim e sidomos Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka deklaruar Hyseni.

Ai theksoi se ka mungesë të një plani të veprimit në politikën e jashtme dhe mungesë koordinimi të diplomacisë së Kosovës me aleatët e saj.

Hyseni gjithashtu potencoi se arsyetimet e Ministrisë së Jashtme se Serbia po lobon kundër njohjeve të Kosovës janë qesharake dhe se me to po manipulojnë me opinionin publik, sepse sipas tij është gjë e ditur që Serbia gjithmonë ka lobuar dhe do të lobojë kundër Kosovës. “Të fajësosh dhe të përpiqesh të arsyetosh dështimet e tua për faktin që Serbia lobon kundër është tepër qesharake, është një mashtrim që politika e jashtme e Kosovës po përpiqet t’ia bëjë opinionit”, ka deklaruar Hyseni.

Kollçaku: Kosova s’mund të presë njohje kur ia mohon vetes sovranitetin

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosova ka ngecur të marrë njohje të reja për shkak të dështimit të politikës së jashtme, por edhe për shkak të mohimit të kufijve nga presidenti Hashim Thaçi, i cili siç ka thënë ajo ka vënë në negocim kufijtë e Kosovës. “Nuk mund të presim njohje kur presidenti ynë bisedon për shkëmbim territoresh e ndryshim kufijsh, nëse ne vetë nuk e njohim dhe e mohojmë Kosovën me këta kufij që ka, atëherë si mund të na njohin shtetet tjera si shtet sovran”, ka thënë Kollçaku.

Deputetja Kollçaku po ashtu ka thënë se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit do të përmirësonte imazhin e vendit dhe rrjedhimisht do të vinin njohje të reja. “Nëse ne luftojmë krimin e korrupsionin, ne ia mundësojmë qytetarit një jetë më të mirë, të jetojë në një vend ku sundon ligji e rrjedhimisht vijnë edhe njohjet nga shtetet kur e shohin që ne jemi një vend serioz”, deklaroi Kollçaku.

Fetoshi: Dialogu po i mban peng njohjet për Kosovën

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë për gazetën “Zëri” se ngecja me njohjet e Kosovës si shtet përveçqë reflekton dështimet e shërbimit tonë diplomatik dhe të Ministrisë së Jashtme ka mbetur peng edhe e procesit të dialogut, pasi që, siç tha ai, dialogu ka marrë tërë vëmendjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare, kështu duke lënë anash procesin e lobimit për njohje. “Tema kryesore që do ta mbajë peng çështjen e ndërkombëtarizimit të Republikës së Kosovës është procesi i dialogut me Serbinë, pasi që ky proces përbën temën kryesore të angazhimit ndërkombëtar për Kosovën në disa muajt e fundit”, ka vlerësuar Fetoshi.

Më tutje ai ka thënë se diplomacia serbe ka qenë e suksesshme te disa shtete, të cilat më pas kanë rishikuar qëndrimin sa i përket Kosovës. “Agresiviteti i diplomacisë serbe ka arritur të shkaktojë huti dhe të shkaktojë rishikim të pozicioneve të disa vendeve që ta rishqyrtojnë aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Fetoshi.

Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr njohjen. Megjithatë, sipas së drejtës ndërkombëtare publike, njohja është akt i njëanshëm juridik, ndërkombëtar, i parevokueshëm, që nënkupton se njohja nuk mund të tërhiqet. Sido që të jetë, deklarimet për tërheqje të njohjes së Kosovës vlerësohet se e kanë dëmtuar Kosovën në aspektin e sjelljes së njohjeve të reja.