Konfirmohet, ushtria më 14 dhjetor

Aktuale December 04, 2018 - 07:56
Lexo Detajet
Image

Gazeta “Zëri” ka raportuar të shtunën e kaluar se ushtria e Kosovës do të votohet në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti në Kuvend. Lajmin dje e konfirmoi Kryesia e legjislativit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tri projektligjet që mundësojnë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës do të votohen në lexim të dytë në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti të Kuvendit.

Kështu kishte raportuar ditë më parë (të shtunën e kaluar) gazeta “Zëri”, duke u thirrur në burimet e veta, të cilin lajm dje e konfirmoi edhe Kryesia e Kuvendit.

Kjo e fundit të hënën vendosi që në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti të votohen këto tri projektligje.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët për transformimin e FSK-së dhe ka thënë se beson që ligjet për FSK-në do të aprovohen me shumicë absolute të votave. “Më 14 dhjetor do të kemi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Besoj që do të jetë njëri nga ligjet që do të aprovohet me shumicën absolute të votave. Ushtria e Kosovës do të jetë me datën 14 dhjetor. E gëzofshim! Është ushtri e partneritetit, ushtri perëndimore dhe ushtri profesionale”, ka thënë ai.

Në këtë seancë, ku pritet të votohet për transformimin e FSK-së, do të marrin pjesë edhe deputetë të opozitës, të cilët tashmë disa herë kanë bojkotuar seancat e Kuvendit.

Këtë e ka bërë të ditur dje deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Armend Zemaj, i cili pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri është një hap i rëndësishëm për vendin. “Është një hap i rëndësishëm dhe është obligim yni që së paku të japim kontribut vendimmarrës për FSK-në në një hap më tutje. LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e cila do të mbahet për votimin e tri projektligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në. Seancat tjera mbeten në vazhdën e grumbullimit të pikëve”, ka thënë ai.

Selimi: Besojmë në votën pro të të gjithë deputetëve

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e njëherësh anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë për “Zërin” se pret që më 14 dhjetor të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro ligjit të ri të FSK-së. “Unë pres që të gjithë deputetët të votojnë për ligjin e ri të FSK-së, përveç Listës Serbe, e cila tashmë është deklaruar se nuk do të marrë pjesë as në procedim, as në votim”, ka thënë ai.

Selimi ka vlerësuar se më asgjë nuk do të mundë ta pengojë transformimin e FSK-së. “Nuk ka më çfarë ta pengojë transformimin e FSK-së në mision të ri, sepse bëhet fjalë për mandat dhe kompetenca të reja të FSK-së, për shkak se në mungesë të mundësisë së ndryshimeve kushtetuese emri nuk i ndërrohet, për shkak se në Kushtetutë është paraparë i tillë, por janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, sepse ndryshime më shumë se kaq përmes ligjit nuk mund të bëhen”, ka thënë ai.

Selimi ka shtuar se ndonëse emri i FSK-së nuk do të ndryshojë, mandati i saj do të jetë i avancuar në forca ushtarake.

Në anën tjetër, edhe anëtari i Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane nga radhët e LDK-së, Ismet Beqiri, gjatë kohës sa po shqyrtoheshin projektligjet për FSK-në në këtë komision është shprehur optimist se të gjithë do t’i votojnë këto projektligje në Kuvend.

“Për ne është e rëndësishme që kemi ardhur në këtë fazë. Të gjithë pa dallime do t’i votojmë dhe do t’i miratojmë këto tri projektligje. Së paku këtu nuk jemi dalluar për të qenët pozitë ose opozitë”, ka thënë ai.

Hadërgjonaj: Buxheti për FSK-në, i mjaftueshëm

Për vitin 2019 është paraparë që buxheti për Forcat e Sigurisë së Kosovës të jetë 53 milionë euro.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë për “Zërin” se buxheti i ndarë për FSK-në është i mjaftueshëm.

Sipas saj, nëse gjatë vitit të ardhshëm prapë do të kërkohen mjete shtesë për ushtrinë do të bëhen edhe ndryshime në buxhet. “Në buxhetin e vitit 2019 është paraparë një buxhet siç duhet, i krahasuar me vitin në të cilin jemi. Ky buxhet është i mjaftueshëm. Në momentin kur kërkohen mjete shtesë për funksionim të ushtrisë së Kosovës ka mundësi të bëhen ndryshime edhe gjatë vitit. Kurdo që na vjen ndonjë kërkesë që ka të bëjë me kërkesa buxhetore mund të merremi ne si Komision për Buxhet dhe pastaj mund ta dërgojmë në Kuvend për miratim. Ekzistojnë edhe fonde të cilat mund të plotësojnë çdo zbrastirë e cila paraqitet në rrugëtim e sipër”, ka thënë ajo.

Hadërgjonaj ka thënë se buxheti nuk do të pengojë procesin e transformimit të ushtrisë.

“Po presim të vijnë ligjet në Kuvend dhe në seancë të votohet për dhe në momentin që ligjet hyjnë në fuqi unë pres që të bëhet transformimi i Forcës së Sigurisë në ushtri. Për buxhet nuk është ndonjë çështje që e pengon këtë proces në rrugëtim të mëtutjeshëm”, ka thënë ajo.

Baraliu: Me votimin e projektligjeve do të bëhet vetëm avancimi i FSK-së

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese Mazllum Baraliu ka thënë për “Zërin” se me votimin projektligjeve për FSK-në në Kuvend do të bëhet vetëm avancimi i FSK-së, por jo transformimi i saj në ushtri. “Me këto pako të ligjeve nuk bëhet transformimi i FSK-së dhe me këtë kushdo që e shet këtë për diçka të tillë para opinionit mendoj se nuk ia qëllon, sepse kjo është vetëm një ndërrim mandati, një avancim i pozicionit të FSK-së dhe dhënia e disa mundësive parciale jo të plota të avancimit të pozitës së FSK-së. Unë i kam lexuar të tria ligjet, sidomos atë për FSK-në, janë jashtëzakonisht shumë të mangëta. Shumë pak është bërë edhe në avancimin e pozicionit rreth statusit të mandatit të FSK-së”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se transformimi i ushtrisë me ndryshime kushtetuese do të ishte më i pranueshëm. “Me ndryshime kushtetuese do të ishte shumë më mirë, më kredibile, më gjithëpërfshirëse dhe më e pranueshme, sepse është kërkuar nga jashtë vendit që të bëhet me mirëkuptim dhe me konsensus të të gjithë faktorëve, edhe të komuniteteve, por kjo për shkakun se nuk ka pasur gatishmëri është shkuar me variantin e dytë”, ka theksuar ai./ZERI