Hahn: Vizat deri më 2020-n

Aktuale December 04, 2018 - 07:40
Lexo Detajet
Image

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka theksuar dje në Prishtinë se koha reale për liberalizimin e vizave me BE-në është viti 2020, mirëpo kjo mund të ndodhë edhe pak më herët, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Liberalizimi i vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian (BE) mund të ndodhë në vitin 2020 ose edhe pak më herët. Kështu ka deklaruar gjatë vizitës që ka zhvilluar dje në Prishtinë komisionari për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit i BE-së, Johannes Hahn, pas takimeve që ka zhvilluar me krerët e shtetit të Kosovës.

Hahn të hënën ka takuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe kryeparlamentarin Kadri Veselin, me të cilët përpos liberalizimit të vizave ka diskutuar edhe për heqjen e taksës doganore prej 100 % të mallrave serbe.

Komisionari Hahn ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kenë durim edhe për disa muaj për liberalizim të vizave me qëllim që të merret pëlqimi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. “Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë ta implementojmë heqjen e vizave. Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit, ndërsa tashmë çështja ndodhet te Këshilli i Ministrave të BE-së. Kam besim se viti 2020 është më realisti për liberalizim, por mos u bëni peng i numrave”, ka thënë Hahn.

Haradinaj Hahnit: Kemi shpresuar se vjen me lajm të mirë për vizat

Me të nisur takimi i komisionarit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, me kryeministrin Ramush Haradinaj, ky i fundit i ka thënë zyrtarit të lartë të BE-së se kanë pritur një lajm të mirë për vizat nga ai.
“Kemi shpresuar se do të vini me lajm të mirë për liberalizimin e vizave për Kosovën para Krishtlindjeve”, i tha Haradinaj komisionarit Hahn para medieve.

Kryeministri ka thënë se Hahn ishte optimist se liberalizimi do të ndodhë, por që nuk pati premtim tani për tani.

Sipas Haradinajt, Hahn ka thënë se kjo është procedurë e cila ka ndodhur edhe me shtetet tjera njëjtë, edhe me Gjeorgjinë, dhe nuk është diçka që po ndodh vetëm me Kosovën.

Ai ka folur edhe nëse taksa ndaj mallrave serbe rrezikon raportet e Kosovës me BE-në. “Marrëdhënia Kosovë - BE nuk është e rrezikuar. Ne nuk i kemi vënë taksë BE-së. Ne kemi pasur kërkesë nga BE-ja për heqjen e taksës, por marrëdhënia jonë nuk rrezikohet. Mendoj që është mirë të punojmë të gjithë për marrëdhënie të mira me Serbinë”, është shprehur Haradinaj.

Veseli Hahnit: Vendimi për heqjen e vizave nuk duhet të shtyhet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë takimit me komisionarin evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, për dialogun me Serbinë, si dhe për reformat që Kosova po bën në shumë fusha. Veseli theksoi se qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të jetë unike sa i përket heqjes së vizave, pasi tashmë çdo kriter është plotësuar. “Veseli theksoi se është e padrejtë për qytetarët e Kosovës që edhe pas plotësimit të kritereve të kërkuara të mbesin të vetmit të izoluar në Ballkan”, thuhet në njoftimin për medie të zyrës së kryeparlamentarit Veseli.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Veseli theksoi se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale që do t’i zgjidhë njëherë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura e në të njëjtën kohë i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në OKB, në NATO dhe në organizata të tjera.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka pritur komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar vizitën e tij si të rëndësishme.

Me këtë rast Hoxha në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se ardhja e tij sot në Kosovë është me rëndësi sepse është e lidhur me klimën aktuale në raportet e Kosovës me fqinjët, me mesazhe të paralajmëruara për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe për bashkëpunim rajonal. “Fokusi ynë është jo vetëm fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal për të cilën kemi dhënë prova të bollshme, por edhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimi i vizave. Nuk mund të arrihen suksese në procese integruese nëse qytetarët e Kosovës kanë kufizime dhe janë të vetmit në Evropë të getozuar. Ne kemi plotësuar të gjitha 95 kushtet e parapara me Udhërrëfyesin e Liberalizimit, andaj ajo që presim ne është aprovimi i lëvizjes së lirë si hap i nevojshëm i mirëbesimit dhe realizimin e përpjekjeve për procesin integrues dhe vlerave të përbashkëta integruese”, ka thënë Hoxha.

Ajo tha se Hahnit do t’ia bëjë me dije se ashtu siç ata kanë pritur nga ne plotësimin e 95 kushteve nga Udhërrëfyesi për Liberalizim, “edhe ne presim nga ju aprovimin e vendimit për liberalizim në Këshillin e Ministrave”.

Murati: Vizat rrezikohen edhe në vitin 2019

Në anën tjetër Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë se tashmë është konfirmuar se heqja e vizave për Kosovën nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave as këtë vit. Murati ka bërë të ditur që çështja e vizave për Kosovën rrezikon të shtyhet edhe pas vitit 2019. “Konfirmohet e pritura. Nuk jemi pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave për çështjen e liberalizimit. Kjo me gjasë do të na e humbë edhe vitin 2019 pa pasur mundësi të lëvizim lirshëm në Zonën Schengen. Mrekullia mund të ndodhë me ndonjë lëvizje në çastet e fundit në agjendë. Gjasat për këtë lëvizje janë 0,001%”, ka thënë Murati.
Sipas tij, BE-ja aktualisht nuk ka strategji konkrete për Gadishullin Ballkanik. “BE-ja e ka humbur busullën me Ballkanin. Është krejtësisht e çorientuar dhe pa strategji konkrete. Edhe institucionet tona që nga 2010-a e deri më tani më shumë kanë bërë politikë elektorale me liberalizim sesa me punë konkrete. Ky është rezultati, qytetarët e mbyllur në disa kilometra katrorë”, ka thënë tutje ai.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se duhet të japin dorëheqje kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha.

“Për herë të parë një zyrtar i lartë i BE-së përmendi datë për liberalizimin e vizave në Kosovë. Komisionari për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, foli e tha: viti 2020! Datat e mëhershme për liberalizim në vitin 2018 i kishin premtuar veçse Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Dhurata Hoxha. Të tre këta duhet të japin dorëheqje. Po ashtu ky pushtet ia ka borxh 8.200 hektarë shtetit tonë, të cilat ia dha Malit të Zi. E sa për Thaçin, ai mbase tashmë po negocion për liberalizim të vizave për në Rusi. Me këta njerëz po na largohet Evropa e po na rrudhet Kosova”, ka shkruar Kurti.