‘Nëse nuk hiqen vizat për kosovarët, fajtorë BE-ja’

Aktuale December 03, 2018 - 09:58
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Ish-kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, Xhavit Drenori dhe disa aktivistë të tjerë sot kanë vendosur banere me mesazhe për liberalizimin e vizave për komisionarin Johannes Hahn i cili sot do ta vizitojë Kosovën. Këto banere u vendosën tek hyrja afër Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Me këtë rast Drenori për mos plotësimin e kritereve për vizat ka fajësuar edhe Bashkimi Evropian, duke thënë që përgjegjës janë po ata, raporton “zëri.info”.

“Ne sot kemi ardhur  për të shpreh indinjatën dhe pakënaqësinë e thellë për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj qytetarëve të Kosovës, qasje që është e papranueshme

Sepse nuk e meritojmë më që të mbesim të vetmit në Evropë pa liberalizim të vizave. Nëse ne kemi dështuar si shtet atëherë një pjesë të fajit normal që duhet ta marrin edhe vet shtetet e Bashkimit Evropian, sepse ato na ndihmuar të çlirohemi, ta ngrisim Kosovën së bashku dhe ta shpallim pavarësinë. Prandaj nuk është e arsyeshme që të na hidhet i gjithë faji për mos plotësim të kritereve”, ka thënë Drenori para mediave, transmeton “Zëri.info”.

Tutje ai ka fajësuar BE-në edhe për bashkëpunim me politikanët kosovarë. Ai ka thënë që në rast që politikanët në Kosovë janë të korruptuar atëherë BE-ja nuk duhet që të bashkëpunojë me ta.

“Nëse ata mendojnë që elita politike është e korruptuar, atëherë ka zgjidhje duke mos bashkëpunuar me këtë klasë të korruptuar dhe të mos i marrin në qafë të gjithë qytetarët”, ka deklaruar ai.

Për sa i përket banerëve të vendosur ai ka deklaruar që janë bërë me qëllim që Hahnit t`i jepet një mesazh nga qytetarët.

“Kuptohet që ky është një akt simbolik por shpresojmë që Hahn ta marr parasysh këtë mesazh nga ne. Ne kemi krenari dhe mund të vendosim reciprocitet për çdo gjë sikurse edhe për taksën. Kemi të drejtë të vendosim edhe regjim të vizave”, ka përfunduar Drenori.

Në baner është shkruar: "Mirë se erdhe në Kosovë Hahn. Ne apikojmë reciprocitetin në Kosovë, kështu që të duhet vizë për të hyrë brenda. Për vizë të duhen 45 dokumente të ndryshme si dhe 35 euro". /ZËRI

Image