Berisha: U shkarkova sepse s’jam nga Mitrovica

Aktuale December 03, 2018 - 08:23
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Më 20 nëntor të këtij viti drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, ka marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Hamëz Berisha, siç thuhet, për shkak të keqmenaxhimit në këtë spital. Mirëpo këtë vendim nuk e ka mirëpritur Berisha, i cili ka thënë se shkarkimi i tij nuk lidhet me mosperformancë, por lidhet me atë se ai nuk është nga Mitrovica, shkruan sot gazeta "Zëri".

Disa ditë pas shkarkimit të tij nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, Hamëz Berisha ka thënë për “Zërin” se shkarkimi i tij është bërë për shkak se ai nuk është nga qyteti i Mitrovicës. Ai ka treguar se për dy ditë drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës i kishte bërë presion që të hiqte dorë nga kjo pozitë dhe pastaj kishte marrë vendim që ta shkarkonte vetë atë, vendim që siç ka thënë ai nuk ka baza ligjore.

“Të premten drejtori më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë jep dorëheqje se duhet të largohesh sepse nuk je nga Mitrovica. Gjithashtu të shtunën më thërret në ‘Viber’ dhe më bën presion që të jap dorëheqje. Unë i them se nuk kam pse të jap dorëheqje, sepse kam performancë të mirë dhe pastaj vjen një vendim i tij se do të më shkarkojnë për një arsye koti. Dy ditë drejtori i SHSKUK-së mua më bën presion për shkarkim, për dorëheqje. Unë nuk e pranoj dorëheqjen”, ka thënë ai.

Janë funksionalizuar shumë shërbime

Berisha ka thënë se gjatë kohës sa ai ka qenë në pozitën e drejtorit shumë shërbime në këtë spital janë funksionalizuar e po ashtu edhe shumë mjekë janë punësuar.

“Unë e kam marrë Spitalin me 50 doktorë, brenda dy vjetëve po e dorëzoj në mënyrë të dhunshme me 87 doktorë. Janë shumë shërbime që janë funksionalizuar aty. Më mirë është dashur të thotë po e shkarkoj se nuk është prej Mitrovicës sesa po e shkarkoj për arsye banale”, ka thënë ai. Në lidhje me vendimin për shkarkimin e tij ai ka bërë të ditur se do të bëjë një ankesë e po ashtu do të bëjë edhe disa pyetje publike për Bordin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, si dhe për ministrin.

Në vend të Berishës tashmë në pozitën e ushtruesit të detyrës së Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës është caktuar  Enis Istrefi, specialist i neurologjisë.

Gazeta “Zëri” ka provuar të flasë edhe me zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë për shkarkimin e Berishës, të cilët kanë thënë për gazetën se ky spital është pjesë e shërbimit në SHSKUK, andaj edhe vendimet janë marrë nga drejtuesit e saj.

SHSKUK: Është shkarkuar për keqmenaxhim

Në lidhje me reagimin e Berishës se shkarkimi i tij është bërë për shkak se ai nuk vjen nga qyteti i Mitrovicës, Zyra për Informim në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se pretendimi i Berishës nuk është i vërtetë.

“Nuk qëndron pretendimi se ai është larguar për shkak që nuk është nga Mitrovica, sepse i njëjti punon me vite të tëra në atë Spital”, ka thënë ajo.

Sipas tyre, Berisha është shkarkuar për shkak të parregullsive në mbarëvajtjen e orarit të punës, si dhe menaxhimit të këtij spitali.

“Vendimi për shkarkimin e tij është marrë me datën 20.11.2018, pas raporteve inspektuese të bëra nga ana e menaxhmentit të SHSKUK-së, të cilat kanë gjetur disa parregullsi si në mbarëvajtje të orarit të punës nga stafi mjekësor, po ashtu edhe në menaxhimin e Spitalit në përgjithësi”, thuhet në një përgjigje dhënë gazetës.

Zyra për Informim në SHSKUK ka thënë më tej se Berisha në vazhdimësi është paralajmëruar për performancën e pakënaqshme të punës së tij.

“Dr. Hamëz Berishës në cilësinë e ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë i është shfuqizuar vendimi i tij i datës 20.09.2016 dhe është caktuar mjek specialist në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës me arsyetimin e paralajmërimeve në vazhdimësi se perforamanca e punës së tij është e pakënaqshme”, ka thënë ajo. Derisa Berisha është shkarkuar nga pozita e tij, anesteziologu Imer Sejdiu është larguar përkohësisht nga puna në këtë spital për shkak se gjatë inspektimeve nuk ishte gjetur në vendin e tij të punës, pasi që ai kishte qenë duke punuar në spital privat./ZERI