Lista Serbe “mbyllet” në Kuvend në pritje të Hahnit

Aktuale December 03, 2018 - 08:12
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Deputetët e Listës Serbe janë mbyllur në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar një takim me komisionarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili sot pritet të vizitojë Prishtinën, shkruan gazeta "Zëri".

Në një komunikatë për medie të Listës Serbe thuhet se ata kërkojnë takim me komisionarin Hahn, në mënyrë që ta njoftojnë atë me krizën humanitare, e cila sipas kësaj partie po kërcënon popullin serb në Kosovë.

“Vendosja e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe praktikisht e bllokon shpërndarjen e ushqimit, të barërave, të shtypit dhe produkteve tjera të nevojshme”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

LEXO EDHE: Simiq: Situata mund të eskalojë nesër në protestë

Për kërkesën e deputetëve serbë ka folur edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas mbledhjes së Shtabit të Krizës në Mitrovicën Veriore, në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës nuk do të dalin nga aty derisa të takohen me komisionarin Johannes Hahn, i cili vjen në Prishtinë të hënën. Përfaqësuesit legjitimë të popullit serb do ta njoftojnë Hahnin dhe Evropën për veprimet e Prishtinës, që çojnë në katastrofë humanitare dhe që janë drejtuar kundër popullit serb. Pra, përfaqësuesit tanë janë sot në Prishtinë dhe ligjërisht dhe në mënyrë demokratike do të luftojnë që fëmijët tanë të kenë të drejtën e të jetuarit, të drejtën në ushqim, të drejtën në të ardhmen e tyre”, ka thënë Rakiq.

Ai po ashtu ka thënë se në emër të popullit serb u ofron mbështetje deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.

LEXO EDHE: PSD-ja kërkon konsensus për dialogun, LDK-ja e LVV-ja zgjedhje

“Gjithë populli serb është dhe do të jetë përkrah deputetëve të cilët luftojnë për të ardhmen tonë e kjo luftë e tyre, demokratike, e qetë dhe legjitime për ne do të thotë jetë. Pra, mesazhi që vjen nga Prishtina, nga deputetët tanë, është se do të jenë atje derisa të takohen me komisionarin Hahn, të cilit do t’ia përsërisin edhe një herë veprimet antiserbe të Prishtinës të drejtuara kundër gjithë popullit serb”, ka thënë Rakiq, i cili ka ripërsëritur se deputetët serbë do të flenë në Kuvendin e Kosovës dhe do ta presin atje Hahnin të hënën.

Në anën tjetër homologu i Rakiqit nga Zubin Potoku, Stevan Vulloviq, anëtar i Kryesisë së “Srpska”-s, ka njoftuar se i ka shuar të gjitha institucionet e Kosovës në Zubin Potok edhe derisa ishte kryetar i të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm (komunë paralele e instaluar nga Qeveria e Serbisë) dhe derisa ishte kryetar i Komunës së Zubin Potokut me sistemin kosovar dhe tani në këtë komunë funksionojnë vetëm institucionet e Republikës së Serbisë.

LEXO EDHE: Hahn sot qëndron në Kosovë

“Zubin Potoku absolutisht është mjedis serb në të gjitha mënyrat. Mos ndoshta në Prishtinë po mendojnë se mund ta shuajnë jetën në këtë pjesë. Sado që ata (shqiptarët) do t’i mbyllin rrugët, ne do t’i hapim ato alternative”, ka thënë mes të tjerash Vulloviq.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka rritur taksën nga 10% në 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës si kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë për Kosovën, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta në Serbi, por edhe te bashkësia ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe për të zbutur tensionet.

Kurse javën e kaluar katër kryetarët e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe, dhanë dorëheqje, si dhe organizuan protesta në Mitrovicën Veriore në kundërshtim të taksës. /ZERI